E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk zbatuan rregullat, Maqedonisë dhe Serbisë u bllokohen vizat

24/05/2011  Komisioni Evropian do të mblidhet sot për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian do të propozojë sot rikthimin e regjimit të vizave “Shengen” për vendet e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilave kanë abuzuar me liberalizimin. Masa e ndëshkimit do të ndërmerret për Serbinë dhe Maqedoninë, të cilat rezulton se kanë dështuar në përpjekjen për të bindur qytetarët të përfitojnë nga avantazhet e liberalizimit pa shkelur ligjet, duke kërkuar azil politik apo ekonomik në 27 vendet e Bashkimit Evropian. Nisur nga kërkesat e shumta për azil, komisionerja evropiane për çështjet e brendshme Sesilia Malmstrom do të propozojë rregulloren, që do të lejojë rikthimin e vizave. Referuar agjencisë “AFP”, sanksionet do të vihen në jetë me opinionin e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian. Mekanizmi i sigurisë u prezantua nëntorin e shkuar, pak përpara se nga liberalizimi të përfitonin edhe qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, por ai është aplikuar edhe për rastet e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. E ndeshur me një numër të madh azilkërkuesish etnik shqiptarë apo edhe romë nga Serbia dhe Maqedonia, Belgjika ka autorizuar ministrin e saj të migracionit Melchior Wathelet të shprehë shqetësimin në Beograd. Propozimi i zonjës Malmstrom do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave të Brendshëm më 9 dhe10 qershor në Luksenburg. Shqipëria duket se ka qenë nga vendet më korrekte në këtë drejtim, ku nuk është shënuar thuajse asnjë rast që shqiptarët të kenë kërkuar azil politik, ose të kenë thyer rregullat që përcakton ligji në këtë rast. Askush prej qindra mijë shqiptarëve që kanë kaluar kufirin për turizëm ose për të shkuar tek të afërmit nuk ka rezultuar problematik, duke u dhënë kështu dhe një mesazh të qartë vendeve të BE-së përkundër imazhit negativ që janë përpjekur qarqe të ndryshme të imponojnë për vendin tonë. Kjo nga shumë eksponentë të BE-së është konsideruar si një arritje e vetë popullit shqiptar, i cili qëndron shumë herë më larg se politika e dhunës që kërkohet t’i imponohet nga liderët politikë, e cila duket se do të zvarrisë dhe statusin e Shqipërisë në BE, pavarësisht se zgjedhjet rezultuan shumë herë më ë mira dhe të vetë vendeve anëtare të BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›