E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Bashkëpunim për infrastrukturën e luftën kundër drogës

Kryeministri Berisha iu drejtua sot, me një fjalë, takimit të nivelit të lartë, në 20 vjetorin e krijimit të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), në Stamboll. Kryeministri Berisha, si i vetmi nga liderët themelues të kësaj nisme, prezent në këtë samit, vlerësoi vizionin e ish Presidentin Turgut Özal dhe Kryeministrit Suleyman Demirel që themeluan këtë iniciativë.

“Së pari, dua të falenderoj mikpritësit, Presidentit Gül dhe vendin mik Turqinë për pritjen shumë të ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyer dhe mikpritjen e këtij samiti në qytetin e bukur të Stambollit. Dua gjithashtu të falenderoj bashkëkryetarin e këtij samiti, për përpjekjet e tij për të siguruar suksesin e këtij takimi. Ne kemi ardhur sot, në këtë samit, për të festuar 20 vjetorin e BSEC dhe gjëja e parë që më vjen në mend është të nderoj vizionarin e madh, burrin e shtetit Presidentin Turgut Özal dhe ish Kryeministrin Suleyman Demirel, të cilët në një periudhë të veçantë themeluan këtë iniciativë. Kur hedhim vështrimin mbrapa, 20 vjet më parë, rajoni jonë ishte një ndër më të shkatërruarit nga diktaturat, konfliktet dhe më i vuajtur. Sot rajoni ynë është 20 herë ndryshe. Ndaj kemi shumë arsye për të qenë krenarë në këtë përvjetor. Shumë nga vendet tona i janë bashkuar NATO-s dhe BE-së. Në këtë periudhë të krizës më të vështirë europiane e botërore, ky rajon ka disa nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë dhe disa nga ekonomitë me rritjen më të madhe në botë. Gjithashtu nëse shohim marrëdhëniet midis vendeve tona, ato nuk kanë qenë asnjëherë më të mira se në këtë periudhë dhe në e rëndësishmja, asnjëherë më shumë se sot, vendet tona nuk kanë qenë të lira e demokratike, sesa jemi sot. Ndaj ne vijmë krenarë në këtë qytet, në këtë takim” është shprehur Berisha.
 

Kryeministri Berisha më tej u shpreh se në këtë 20 vjetor kemi arsye të shohim për një horizont të ri, sepse ky rajon është një nga rajonet më strategjikë në botë, është rajon që lidh kontinentet më të mëdha, tregjet më të mëdha në botë dhe civilizimet më të zhvilluara botërore.
 

“Vendet tona dhe BESC besoj se duhet të ecin përpara të përmirësojnë më shpejt dhe më tej infrastrukturat që lidhin vendet tona me njëri-tjetrin. Pavarësisht progresit, rajoni ka nevojë për një infrastrukturë të përshtatshme. Ekzistojnë disa iniciativa të rëndësishme në këtë drejtim. Unë përshëndes qeverinë e Azerbajxhanit për projektet tepër të rëndësishme rajonale për naftën dhe gazin. Duhet të mbajmë parasysh se rruga më e vjetër që lidhte kontinentet kalonte përmes këtij rajoni, rruga Egnatia, rruga e mëndafshit. Ka një debat të gjatë për korridorin 8-të, i cili është një mijë kilometra dhe që besoj se ka ardhur koha që vendet tona të angazhohen për ndërtimin e këtij Korridori, i cili është edhe një nga segmentet kryesore e më të rëndësishme të rrugës së mëndafshit. Janë më pak se 150 kilometra të këtij Korridori që mungojnë midis Bullgarisë e Maqedoni dhe Maqedonisë e Shqipërisë dhe tregtia do të kalojë nga Tiranë në Pekin. Ne shpresojmë që në vitet që vijnë, BESC, në interesin më të mirë të vendeve tona dhe të zhvillimit global, të ndjekë një politikë më agresive në drejtim të rindërtimit të infrastrukturave lidhëse ndërkombëtare” shtoi Berisha.
 

Numri një i Qeverisë ka bërë edhe një panoramë të zhvillimeve dhe reformave në Shqipëri, ku ka shprehur domosdoshmërinë e ndërlidhjes infrastrukturore mes vendeve fqinje si forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër lëndëve narkotike.
 

“Shqipëria është një vend i vogël, por i mbahet angazhimeve të saj. Ne po punojnë fort për Korridorin 8-të dhe do ta ndërtojnë pjesën tonë. Ne do të lidhemi me Maqedoninë me një sistem hekurudhor, gjithashtu. Unë mendoj se ka ardhur koha që vendi ynë, i cili janë shumë më ndryshe se 20 vjet më parë, të angazhohet në realizimin e këtyre lidhjeve të mëdha. Kjo është shumë e rëndësishme. Një bashkëpunim më i fortë midis vende tona është vital për t`u përballuar me trafikimin e lëndëve narkotike. Ne jemi të vetëdijshëm se Lindja e Largët është deri tani, plantacioni më i madh i kultivimit të drogës, ndaj agjencitë tona të zbatimit të ligjit duhet të punojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, për t`i bërë vendet tona më të sigurta nga ky lloj agresioni. Duke përfunduar, theksoj se realitetet e pakthyeshme duhet të pranohen. Kështu, miqtë e mi, lidhur me Kosovën ju siguroj se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe e stabilitet në rajon. Është fakt se Beogradi është angazhuar në interes të saj, në një dialog dhe unë përshëndes dialogun që ekziston midis Prishtinës dhe Beogradit dhe mbështes plotësisht marrëveshjen që këto dy vende arritën në Bruksel. Ne shpresojmë se duke pranuar dhe jo përjashtuar njëri-tjetrin do të ndërtojmë të ardhmen që vendet tona meritojnë” theksoi Kryeministri.
 

Iniciativa e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi është themeluar në vitin 1992 dhe përfshin 11 vende anëtare: Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Rumania, Rusia, Turqia dhe Ukraina dhe ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve anëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›