E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përmirësojmë infrastrukturën mes vendeve

STAMBOLL – Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha në fjalën e tij në takimin e nivelit të lartë, në 20 vjetorin e krijimit të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), në Stamboll, bëri thirrje që të përmirësohet më shpejt dhe më tej infrastruktura që lidh vendet tona me njëri-tjetrin.

Kryeministri vuri theksin tek ndërtimi i Korridorit 8-të për të cilin tha se ka ardhur koha që vendet tona të angazhohen për ndërtimin e këtij Korridori, i cili është edhe një nga segmentet kryesore e më të rëndësishme të rrugës së mëndafshit.

Janë më pak se 150 kilometra të këtij Korridori që mungojnë midis Bullgarisë e Maqedoni dhe Maqedonisë e Shqipërisë dhe tregtia do të kalojë nga Tiranë në Pekin. Ne shpresojmë që në vitet që vijnë, BESC, në interesin më të mirë të vendeve tona dhe të zhvillimit global, të ndjekë një politikë më agresive në drejtim të rindërtimit të infrastrukturave lidhëse ndërkombëtare.- tha kryeministri Berisha.

Ai tha se Shqipëria po punon fort për Korridorin 8-të dhe do ta ndërtojnë pjesën e saj, duke shtuar se, Shqipëria do të lidhet edhe me anë të hekurudhës me Maqedoninë.

Berisha vlerësoi ecurinë ekonomike të rajonit, kur tha se në këtë periudhë të krizës më të vështirë europiane e botërore, ky rajon ka disa nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë dhe disa nga ekonomitë me rritjen më të madhe në botë.

Kryeministri kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë midis vende për tu përballuar me trafikimin e lëndëve narkotike. Ndërsa për Kosovën, Berisha vlerësoi se është një realitet i pakthyeshëm që duhet pranuar, dhe se pavarësia e saj ka sjellë paqe e stabilitet në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›