E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bashkëpunimi me SHBA do të jetë i njëjtë dhe me presidentin Obama

Nga Armand Maho

Kryeministri, Sali Berisha, u shpreh dje në prezencë të ambasadorit amerikan, John Withers, se qeveria shqiptare do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë edhe me presidentin e sapozgjedhur, Barack Obama, në të gjitha frontet ku do të jetë e nevojshme. Këto deklarata, kryeministri Berisha i bëri gjatë ceremonisë së pritjes “Liria e Irakut”. Në këtë ceremoni veç ambasadorit amerikan, John Withers, ishte ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe ish-ministri Fatmir Mediu, si dhe ish-ministri socialist, Pandeli Majko. “Në këtë mision më shumë se çdo gjë tjetër ju keni shtuar solidaritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara, por edhe me Irakun që po ndërton sistemin e tij demokratik. Unë kam bindjen se sot ju jeni më të gatshëm se kurrë, më të aftë, më të vendosur më profesionistë për çdo mision që do kërkojë vendi brenda dhe jashtë tij. Bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi patur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, do ta vazhdojmë me presidentin e zgjedhur, Barack Obama, në të gjitha rastet në të gjitha frontet që të jetë e nevojshme”, - tha Berisha

Ndërkohë, ushtarët e sapokthyer nga Iraku i ka përshëndetur dhe ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers. Duke folur në emër të qeverisë amerikane, Withers u shpreh se kombi amerikan përcjell respektin për këta ushtarë, të cilët qëndruan larg familjeve të tyre me mijëra kilometra në shërbim të paqes. Withers u shpreh se nuk do jetë e largët dita kur Shqipëria të shihet si anëtare e NATO-s. “Ju sjell sot falënderimet e qeverisë amerikane, për ndihmën e dhënë për vendosjen e paqes dhe lirisë në një tokë të largët. Sot ju përcjell respektin e kombit amerikan për kurajën e treguar në sy të rrezikut dhe për sakrificat e bëra duke qëndruar kaq larg familjeve dhe shtëpive tuaja. Sot ju shpreh mirënjohjen e përzemërt të popullit amerikan, pasi keni qenë gjithmonë miq të Amerikës, kur ajo ka pasur nevojë dhe unë shoh përpara drejt asaj dite që nuk është më shumë e largët, kur ju të qëndroni përkrah nesh si anëtarë të NATO-s”, - u shpreh ndër të tjera ambasadori i SHBA në Tiranë, John Withers.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›