Preshevë: Policia serbe arreston dhjetë shqiptarë
Autoritetet e Serbisë kanë arrestuar të premten dhjetë shqiptarë, të dyshuar se janë të përfshirë në vrasje dhe rrëmbime në Kosovë në vitin 1999, ka njoftuar zyra e Prokurorisë së Serbisë për Krime të Luftës.
“Prej qershorit 1999 e deri në tetor të vitit 1999, ata ishin të përfshirë në së paku 51 vrasje dhe 159 rrëmbime në qytetin e Gjilanit në Kosovë”, - tha Bruno Vekariç, zëdhënës i Prokurorisë së Serbisë për Krime të Luftës. Sipas tij “të gjithë ata ishin anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Më tutje, Bruno Vekariç tha se “aksioni ishte përgatitur në katër muajt e fundit” dhe shpjegoi se disa të arrestuar nuk kanë jetuar në Serbi, por kishin ardhur për ta kaluar Vitin e Ri me familjet.
Nga ana tjetër, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, vlerësoi se arrestimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk çojnë kah stabilizimi i situatës në këtë rajon.
Ai tha se “ishte absolutisht e panevojshme që në aksionin e arrestimit të marrin pjesë më se 100 pjesëtarë të xhandarmerisë, me bllokim të rrugëve dhe me keqtrajtimin e banorëve”.
Sipas tij, “dikujt i duhet që në jug të Serbisë, kohë pas kohe, të ngrihet temperatura, për të arsyetuar përdorimin e xhandarmërisë”.
Deputeti Riza Halimi më tutje tha se “absolutisht kjo nuk është në rregull dhe nuk i kontribuon stabilizimit të këtij rajoni” dhe theksoi se aksioni i arrestimit ishte realizuar me shumë tejkalime të autorizimeve zyrtare, me ç’rast është rrahur një i ri dhe “ka pasur provokime policore të pjesëtarëve të xhandarmërisë”.