Edi Rama dhe Feride Bako
Shumëkush priti që shoqatat për të drejtat e njeriut apo shoqatat e grave e Komiteti shqiptar i Helsinkit të reagonte për nënë Feridenë, 75-vjeçare e burgosur, dhe që ka lënë dy nipër të vegjël jetimë në shtëpi, të dënuar më keq se edhe vetë ajo me mjerim, dhimbje e vetmi. Është e qartë se këto organizma reagojnë, kur fitojnë pará ose kur bëjnë politikë dhe ky nuk ishte një rast i tillë. Kryetarja e parlamentit ishte ndër ata që pritej të reagonte dhe madje të kërkonte përpilimin e një amnistie që e bën veç parlamenti. Ajo shpesh ka folur me tërsëllëm për të drejtat e grave dhe nënave, por edhe ajo provoi se e bën për motive jo shumë të largme nga ai i organizatave të të drejtave të njeriut. Presidenti i Republikës, që ka i vetëm të drejtën të falë të burgosur, nuk iu dha shqiptarëve të kuptojnë se ai është ndjerë keq nga fakti që nënë Feride Bako mban në burg katër portokalle për nipërit e vetëm, të cilët, kur bie shi, mbulohen me plastmas edhe brenda në shtëpi. Qeveria është e qartë se lajme të zymta nga ky vend e ka të vështirë të gjejë. Partia Socialiste, e cila pritej e fundit të reagonte, e bëri këtë. E bëri me forcë dhe e bëri nëpërmjet kryetarit e jo me ndonjë zyrtar tjetër. Për të gjithë kritikët e Edi Ramës në këtë vend duhet thënë se ai me kërkesën për lirimin e nënë Feridesë dhe vizitën në burg dëshmoi se në këtë vend mund të mendohet edhe ndryshe, se mendimi për të mirën mund. E urrej të përmend vetën e parë, por jam një kritik i madh i Edi Ramës në të menduarit tim. Edhe gazeta “TemA” është një gazetë që mbron pikëpamje të djathta (jo domosdo parti apo individë, por kthjelltësisht pikëpamje dhe qëndrime), e kjo assesi nuk është pengesë të thuash se ai njeri i dha dje një përmasë që dëshpërimisht i mungon politikës shqiptare (e ka bërë edhe më parë ndoshta, pavarësisht skepticizmit). Është shumë e thjeshtë: “Andrra e jetës” e shkruar nga Mjeda në një Shqipëri shumë më të varfër dhe për një Shqipëri shumë më të varfër, në rastin e nënë Feridesë është pikëllim kryekreje më humbellë. Në “Andrrën e jetës” të Mjedës bëhet fjalë për mjerimin fatzi të “dy çikave dhe nji nane” dhe në Shqipërinë tonë sot bëhet fjalë për dy vogëlushë të vetëm, pa nënë e pa baba dhe që shteti iu ka marrë edhe gjyshen 75 vjeç, sepse ka mbjellë hashash. Ia vlen të përmendim se gjykatat gjermane nuk dënuan me burg një njeri që kishte bërë krime dhe gjenocid si Erik Honeker, sepse ishte 80 vjeç, por e lanë të lirë, pavarësisht se nuk kishte dy nipër jetimë në mjerim në shtëpi. E pse nuk duhet thënë që Edi Rama ka bërë një gjest fisnik duke treguar edhe turpin e të tjerëve? Për shkak se askush nuk ka qejf t’i tregosh turpin, se askush nuk ka dëshirë të vihet në diskutim sjellja dhe turpi që ka bërë. Kjo duhet të jetë arsyeja. Rama ka kohë që shkon rrugëve dhe fshatrave të vendit, duke u takuar me punëtorë e fshatarë, me barinj e fëmijë. Kjo në një kuptim është e jashtëzakonshme, veçse shumë kanë dyshuar në sinqeritetin e saj dhe me të drejtë, pasi në shumë raste e kanë parë si shmangie nga e vërteta e Tiranës, e PS, e luftës brenda etj. Mund të ketë qenë kështu, ka qenë edhe kështu. Luzma e kronikave në televizione janë një dëshmi. Gjesti i vizitës te nënë Ferideja dhe kërkesa për ta liruar atë nuk mund të përkufizohet me arsyetimin e mësipërm, të paktën ai nuk është shterues. Asfare. Sjelljet e mira dhe veprimet e fisme nuk lindin në eter, duhet edhe organizëm për t’i bërë. Në rast se ky arsyetim nuk vlen, së paku ai ishte një hap para të gjithëve në një veprim të mirë dhe askujt nuk ka pse t’i duhet qëllimi. Politika është edhe çështje interesash dhe ai që i mbron më mirë këto, pavarësisht qëllimit për të marrë vota, duhet çmuar. Ky rast ia vlen të kthehet në një çështje të debatit, pasi nënë Ferideja të ketë shkuar te nipërit, se si vendosin gjykatat në Shqipëri. Vendimet e gjykatave shqiptare janë lemeri e shkresurinave sovjetike me citime germash, nenesh, paragrafësh, numrash e datash të Kodit Penal. Ky është një skandal dhe gjyqtarët duhet të shohin se si formulohen vendimet nga gjykatat në Perëndim. Nuk ka qytetar në Perëndim që të dënohet nga germa, numra e paragrafë të Kodit Penal, por nga legjislacioni në fuqi në ato vende. Legjislacioni nuk ka thjesht Kodin Penal, por edhe Kushtetutën, edhe akte të së drejtës ndërkombëtare, edhe të drejtë zakonore, edhe praktika për qeverisje të mirë etj., etj. Po të ishte puna për germa, numra e paragrafë të Kodit Penal, nuk duheshin gjyqtarë, por robotë. Gjyqtarët gjykojnë, d.m.th., mendojnë, vlerësojnë. Detyra është të japin drejtësi dhe këtë në bazë të qëllimit që ka gjykata e që është ruajtja e perspektivës morale të shoqërisë. Këtë e thonë legjislatorët më të njohur sot në Evropë, teoricienët e ligjeve dhe filozofët e ligjit. Nuk ka nevojë për emra e për citime që kjo të dëshmohet si e vërtetë. Nënë Ferideja është në burg për shumë arsye idiote shqiptare, por edhe për shkak se numri X, germa Y, paragrafi Z i Kodit Penal e dënon atë me 5 vjet. Duhet zhdukur kjo praktikë, në mënyrë që ata që kanë bërë krime të jenë në burg dhe jo hallexhinj. Përmasën që Rama dje i dha mjedisit politik në këtë vend, ia vlen ta kërkojmë edhe te të tjerët