E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për t’u qarë edhe ky vit!

Nga Inida Gjata ZHAKU

Ja, na erdhi Viti i Ri! Përgjatë bulevardit, kapur keq e mos më keq nëpër disa tela që nisin te semafori i urës së madhe e përfundojnë te semafori i Presidencës, disa karikatura metalike yjesh, që natën, kur ndizen, është më mirë të mos ua hedhësh sytë. Në mënyrë që t’i kursesh vetes trishtimin që ndjen që dekori i kryeqytetit gjatë festave të fundvitit ka përfunduar

(edhe pse nuk ka qenë më mirë ndonjëherë më parë), në disa forma të përçudnuara yjesh, të cilave për më tepër u duken të gjitha “horrllëqet”.

Duket fare qartë teli i pistë, mbi të cilin kapen keqas. Për çdo rresht teli ka vetëm dy yje. Dhe gjatësia e telit është e madhe. Mund të mbante më shumë yje. Shumë më shumë yje. E mbase po të kish më shumë, as defektet e Dy të Vetmëve për çdo rresht nuk do të binin në sy.

Kur i sheh të dy, të vetëm në atë varg të gjatë, ato dy yje për çdo rresht, përveçse të vjen ndërmend ylli pesëcepësh, simbol i Anarkisë, të vjen ndër mend edhe e ardhmja e Shqipërisë, e cila propozon vetëm 2 alternativa në këtë vit të ri që do të vijë. Dy yje të shkëlqyer si PD dhe PS, të cilat qëndrojnë të qepura fort në ballët e dy kryetarëve të vet, me të vetmen fije shprese që kanë shqiptarët.

Po të ecësh deri te Kuvendi, të kap ngashërimi. E qara me llahinga. Disa rripa drite me gjatësi të ndryshme të përplasur shkujdesshëm mbi tarracën e këtij institucioni që me dekorin e këtij viti parashikon një të ardhme qesharake. Me atë rrethim rripash drite, një të gjatë e një të shkurtër, sikur prezanton përpara popullit parlamentin e Shqipërisë. Mbushur me të gjatë e me të shkurtër, që pa pikë dinjiteti pranojnë të përplasen e të shkëlqejnë si ligjvënës, edhe atëherë kur puna e tyre është krejtësisht e pamoralshme dhe e padenjë për postin që mbajnë. Dhe drita e rripave që varen mbi Kuvend, është po aq e fortë sa fodullëku i atyre që dystohen nëpër parlament.

Presidenca, me drita nëpër shkurre. Me dy-tri dekore, por të shkëlqyeshme. As errësirë e as dritë. Njëlloj si presidenti dhe përkrahësit e tij të fshehur nëpër selira partish, të cilët nuk dihet ku e cilët janë, por ama dihet që diku janë strukur.

Po të ecësh edhe pak më tej, përballesh me faktin më absurd të historisë së njerëzimit. Dhjetëra lojëra e argëtime për fëmijë që ndizen vetëm natën, shkëlqejnë e bëjnë potere, dhe nuk kanë fare përkrahës. I sheh çekiçët e mëdhenj e karuselët farfuritës, krejt të boshatisur prej njeriut, e megjithatë të ngrihen e të zbresin. Të tunden e të shkunden me sedilje bosh. Mbase prej çmimeve të larta, a prej temperaturave të ulëta. Mbase, sepse fëmijët nuk mund të rrinë rrugëve deri vonë në darkë, a mbase sepse janë mu në mes të xhadesë, në sy të të gjithëve, ku është turp të dëfresh, këto lojëra e parqe false dëfrimi, që kanë zaptuar gjysmën e sheshit e kanë bërë çorap trafikun, janë krejt pa asnjë lidhje në kryeqytet.

Pas maleve ruse në miniaturë, ngrihet korpusi, mbi majën e të cilit me të verdhë janë skalitur një 2-sh, një 0 dhe një tjetër 0. Të tre këta numra presin një 9, njëlloj të verdhë e të shëmtuar që të nusërojë përgjatë gjithë vitit mbi çatinë e institucionit më të rëndësishëm arsimor në Shqipëri. Këto numra që ndërrohen vit pas viti e që me verdhësinë e tyre të ligshtë i tregojnë kujtdo e ka harruar se në ç’vit jeton, janë kurora e kalbësirës më të madhe të këtij vendi. Sistemit arsimor. Në atë universitet, në moshën e internetit (sipas fjalëve të njërit prej 2 yjeve të politikës shqiptare), nuk ka wireless. As lidhje kabllore. Nuk ka libra. Nuk ka seriozitet. Nuk ka foni nëpër auditore. Ka vetëm dëngla, dëngla, se asgjë prej këtyre nuk mungon. E me gjithë dënglat që ha ky popull vit pas viti, natyrisht fillon e beson se mbreti, edhe pse është krejt lakuriq, është i veshur me petkun më të bukur në botë.

Tirana, kryeqyteti i një Shqipërie të pakohë, të paemër, të paqartë e të paparashikueshme, përgatitet të festojë fundin e një viti dhe fillimin e një viti të ri. E duke patur parasysh vitin që presim të festojmë, trishtimi, kur sheh me sy e dëgjon me veshë në çdo hap që hedh nëpër kryeqytet fukarallëkun, injorancën dhe agresivitetin e çnjerëzillëkun e bashkëkombësve të tu, është i papërshkrueshëm.

Për të mos folur për qytetet e tjera të Shqipërisë, ku ky vit që po mbaron është asgjë më shumë sesa paraardhës i një tjetër viti për t’u qarë me llahinga.

Ja na erdhi Viti i Ri!

Sa jam e trishtuar!

Porsi unë dhe çdo njeri

Ka për ta festuar.

Mbyllur brenda në shtëpi

Larg shashkave dhe zjarrit

Viti i Ri do të na gjejë

Përballë televizorit.

Bora zbardhi tej për tej

Fushat edhe malet

Shqipërinë do ta gjejë

Të përpirë nga hallet!

P. S. Mbi muret e Kryeministrisë, yjet këputen mbi kryekëputjen e qeverisë. Dhe dritat përreth palmave në trotuar, si grushti i pushtetit që shtrëngon një biletë për pushimet në Dubai. Gëzuar festat të gjithëve o gjynahqarë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›