“Komandot” që nuk e ruajnë dot kryeministrin
Duhet të shënojmë se kompania jonë e ushtarëve në Irak ka patur fatin të keqpërdoret dy herë politikisht, një herë kur iku dhe një herë kur u kthye. Kur iku në vitin 2003, SHBA ishte në një situatë të vështirë ndërkombëtare për shkak të mungesës së mbështetjes fillestare për sulmin në Irak. Në atë kohë shumëkush kujton se kryeministri ynë, Fatos Nano, i futur në plot telashe në Shqipëri në politikën e brendshme, gjeti një kazus të fortë për t’u shfaqur në krah të Xhorxh Bushit. Bëri një letër në “Boston Globe”, ku kritikonte Francën dhe Gjermaninë për indiferentizëm dhe u kujtonte francezëve zbarkimin në Normandi. Shqipëria u bë ndër aleatet e para të SHBA, e gatshme të niste ushtarë në Irak si pjesë e operacionit “Liria e Irakut”. Kjo i shërbeu jo pak kryeministrit të atëhershëm të shtynte një vit dhe të përballonte me imazhin e një kompanie prej 60 vetësh në Irak një turmë prej 60 mijë vetësh që mbushnin bulevardin në lëvizjen “Nano Ik!” Të njëjtin fat ka kjo kompani dhe tani që po kthehet. Ndryshe nga atëherë, ajo po gjen në Shqipëri një kryeministër, i cili ka krijuar probleme serioze me politikën amerikane dhe tashmë po përdor kthimin e tyre për të duartrokitur dhe për t’u dukur sikur s’ka ndodhur asgjë.
Kryeministri, Sali Berisha, u shfaq dje në tribunë para ushtarëve komando për të bërë një paradë të miqësisë së Shqipërisë me SHBA dhe për ta shpallur misionin tonë në Irak si një mision në ndihmë të ushtrisë amerikane. Me superlativa për presidentin në detyrë, Xhorxh Bush, dhe akoma më me superlativa për presidentin e zgjedhur, Obama, Berisha u përpoq të kompensonte në daljen e tij publike makthin që kanë ngjallur tek elektorati i tij përplasjet e tij serioze me administratën amerikane. Alarmi në rritje për gjestet e tij nervoze me ndihmëssekretarin e Shtetit, Daniel Fried, dhe kritikat e hapura ndaj tij nga Departamenti amerikan i Shtetit u përdorën jo pak nga kundërshtarët e tij si shenja të një çarjeje serioze. Për ta theksuar rrezikshmërinë e këtij kursi të kryeministrit Berisha, presidenti Topi tërhoqi publikisht vërejtje për të pasur kujdes në marrëdhëniet me SHBA. I gjendur nën këtë trysni, Berisha shfrytëzoi dje komandot e kthyera nga Iraku për të bërë sikur s’ka ndodhur asgjë. Në fakt, kanë ndodhur dy gjëra të mëdha.
E para, nuk kemi më një Berishë të vitit 1996 që e çon në ekstrem luftën, ndoshta duke pasur parasysh që pas vitit 1996, vjen viti 1997. I trembur nga përplasja e tij publike dhe i dëmtuar seriozisht tek elektorati i vet nga kjo përplasje, ai nxiton të bëjë sikur s’ka ndodhur asgjë dhe ngre pjacën e kontakteve të tij me SHBA te presidentët, duke folur për presidentin Bush dhe presidentin Obama. Kjo i shërben diçka mbështetësve të vet, pasi së paku i qetëson. E dyta që ka ndodhur, ka të bëjë me faktin se, e gjithë kjo që bën, nuk reflekton ndonjë gjë në bilancin e tij të keq në bashkëpunimin me administratën amerikane. Sjellja prej kauboji, duke i konsideruar marrëdhëniet me SHBA si marrëdhënie dypalëshe dhe shkëmbime ushtarësh, është vulgare. Raportet e Shqipërisë me SHBA nuk janë raporte që bazohen në atë çfarë ne e ndihmojmë SHBA me skuadra ushtarësh prapavije. SHBA ndoshta s’ka nevojë ta ndihmojmë për asgjë, por ne duhet të respektojmë politikën e saj për Shqipërinë dhe duhet të jemi të dëgjueshëm ndaj këshillave të saj. Këtë gjë kryeministri ynë e di mirë, por e injoron dhe përpiqet të kthehet te një model që nuk ngjit tek ata që e dëgjojnë. Përpjekja e tij për të thënë se nuk ka ndodhur asgjë, pasi marrëdhëniet vazhdojnë dhe ne po respektojmë ushtarët që kanë ndihmuar SHBA, është megalomane dhe shërben vetëm për të kuptuar se së paku e ndjen që nuk i ka mirë punët. Dhe kjo nuk është pak. Kjo është gjysma e punës. Gjysma tjetër është që t’i ndreqë punët që i ka prishur vetë dhe kjo natyrisht ka kosto më të madhe për të. “Komandot” janë për të shpëtuar jetë njerëzish, por jo fate kryeministrash.