Bankat në vështirësi për pará, nuk ka likuiditet
Fundi i vitit ka vështirësuar shumë aftësinë për të përballuar tërheqjet e parave nga bankat shqiptare. Të dhëna nga Ministria e Financave bëjnë me dije se shumë banka janë në vështirësi për shkak të mungesës së likuiditetit dhe nuk po arrijnë të bëjnë të mundur realizmin e të gjitha tërheqjeve të parave nga disa agjenci qeveritare, por edhe nga ente të tjera. Kriza financiare botërore duket se ka ndikuar duke e rrudhur kapitalin për likuiditet të bankave në Shqipëri. Pak ditë më parë, guvernatori Fullani me shumë kujdes iu tërhoqi vëmendjen bankave që ato të mos e ndajnë fitimin dhe të mos ia japin atë aksionerëve, por ta përdorin si kapital për të rritur likuiditetin. Guvernatori me siguri është në dijeni më shumë se kushdo që gjendja e bankave është e rënduar dhe kjo është provuar gjatë kësaj jave, kur shumë banka kanë refuzuar të lëvrojnë sasi parash në vlera të mëdha të kërkuara nga subjekte të caktuara kryesisht të qeverisë. Të dhëna të Ministrisë së Financave nuk qartësojnë sesa e rëndë është gjendja, por thjesht bëjnë me dije se ka probleme. Banka e Shqipërisë iu ka kërkuar bankave të bëjnë të pamundurën ta kapërcejnë këtë situatë pa rënë në panik, pasi fillimi i vitit që vjen do të çlirojë trysninë e tashme për pará. Trysnia për të tërhequr pará ka ardhur për shkak të shpenzimeve të rritura për festa dhe për shkak të shpenzimeve të larta që po kryhen nga qeveria duke çelur fonde të mëdha për një sërë zërash të rëndësishëm. Disa prej bankave në Shqipëri janë pjesë e bankave të mëdha të huaja dhe ato janë duke përjetuar problemet që mund të kenë bankat në qendër. Deri më tani asnjë prej bankave që veprojnë në Shqipëri nuk kanë shfaqur probleme serioze, por humbje dhe luhatje kanë pësuar thuajse të gjitha. Kjo duhet të ketë çuar në uljen e fuqisë së tyre për likuiditet, gjë që është reflektuar edhe në tregun tonë. Shqipëria numërohet ndër vendet që nuk do të ketë probleme me financat, pavarësisht krizës. Shqipëria është llogaritur ndër ato vende që kriza do t’i prekë në ekonomi gjë që ka nisur të shfaqet. Sistemi ynë bankar mendohet i sigurt, për shkak të faktit që produktet që ofrojnë bankat tona nuk mund të krahasohen me ato që ofrohen në tregun e huaj dhe për shkak të faktit që shumica e njerëzve pak veprime kryejnë me bankat.