Berisha: Bashkitë të mos abuzojnë me taksat, s’mund të kalohet niveli i 10 përqindëshit
Qeveria pritet të ndërhyjë për abuzimet e bashkive të mëdha me taksat shtesë që i kanë vendosur biznesit të vogël, ku bashkia më problematike është ajo e Tiranës, qytetarëve të së cilës u janë shtuar një sërë taksash nga administrata e Edvin Ramës
Sot, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një konsultë të gjerë me ministrin e Financave, z. Ridvan Bode dhe me zyrtarë të lartë të këtij sektori, lidhur me zbatimin e direktivës së tij për kufizimin e abuzimeve që qeveritarët vendorë po bëjnë në kurriz të biznesit të vogël me tarifat dhe taksat e përkohshme, me të cilat po rrisin barrën mbi këtë biznes që përballon gjeneratën kryesore të punësimit në vend. Në këtë konsultë, Kryeministri dha orientim të prerë se të gjitha tarifat dhe taksat e përkohshme, të marra së bashku, nuk do të mund të jenë më shumë se 10 për qind e nivelit të përcaktuar me ligj “për taksimin e biznesit të vogël”. Tendenca e taksimit të biznesit të vogël, në një kohë kur qeveria ka pakësuar me 50 për qind barrën fiskale për këtë biznes dhe në një kohë kur, për shkak të krizës ekonomike botërore, vendet po ulin taksat, është e rrezikshme për punësimin dhe mbarëvajtjen e biznesit në vend.
...