Infratsuktura rrugore në Korçë, drejt asfaltimi të plotë 355 km rrugë
Akset rrugore të rajonit të Korçës, që konsiderohen si rrugë nacionale, janë drejt asfaltimit të tyre të plotë me investimet e kryera sidomos tre vitet e fundit. Nga 1355 kilometra rrugë nacionale të rajonit juglindor të Korçës, aktualisht vetëm 10% e tyre nuk janë ende të asfaltuara sipas parametrave bashkëkohore, por që janë në projekte financimesh për këtë vit. Drejtoria rajonale e rrugëve nacionale në Korçë ka 8 projekte investimesh në rrugë fshatrash, që do të klasifikohen më pas si rrugë nacionale. " Ajo që mund ta quajmë si harta e rrugëve nacionale zgjerohet vazhdimisht, sepse të gjitha rrugët e fshatrave, që lidhin qendra komunash me akset kryesore rrugore konsiderohen si rrugë nacionale", tha drejtori rajonal i rrugëve në Korçë, Kreshnik Zgjani. Sipas tij, për vitin në vazhdim nga ana e buxhetit të shtetit do të financohen me një vlerë të përgjithshme mbi 111 milion lekë, 8 projekte për asfaltime rrugësh në rrethet Korcë dhe Devoll, që bëhen pjesë e rrugëve nacionale. Një ekip i Drejtorisë së Përgjithsme të Rrugëve ka ardhur në Korçë për studimin e termave të referencës të rrugës Lozhan-Gramsh. Investime për infrastrukturën rrugore për këtë vit janë parashikuar të kryhen edhe në zonat me interes turistik të rajonit të Korcës, asfaltime të rrugëve Qafa e Zvezdës, dogana e Gorricës në zonën e komunitetit maqedonas të Liqenasit, dy pjesë të unazës së jashtme të qytetit të Korçës, unazën e qytetit të Ersekës, si dhe do të fillojnë punimet për lotin e parë të rrugës Leskovik-Ersekë. Rrethi i Pogradecit me potenciale turistike për zhvillimin ekonomik të zonës, përfiton nga projektet e investimit në infrastrukturën rrugore në asfaltimin e rrugës Lin-Pogradec dhe atë në dalje të qytetit drejt doganës së Tushemishtit. "Vetëm një pjesë e rrugëve dytësore të rajonit të Korçës nga afro 355 kilometra rrugë nacionale kanë mbetur ende pa u asfaltuar, por me ndërhyrjet që janë parashikuar të kryhen edhe gjatë këtij viti shumë shpejt do të zgjerohet edhe më shumë funksionimi i rrugëve nacionale në rajonin Juglindor të Korçës" tha Zgjani.
...