E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kontrolli i të afërmve të zyrtarëve, të ndryshojë Kodi Penal”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryetari i Inspektoratit të Lartë të deklarimit të Pasurive, Adriatik Llalla, paraqiti dje në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor të institucionit që ai drejton. Në prezantim të punës së këtij Inspektorati në një vit, Llalla theksoi se ILDKP ka evidentuar gjatë vitit 2008 plot 120 raste të dyshuar për konflikt interesi. Nga këto raste të evidentuara 66 prej tyre kanë rezultuar me konflikt interesi të identifikuara në rrugë ligjore. Llalla tha se në listën e personave për kallëzim penal ka qenë dhe një zëvendësministër. Zëvendësministri i ndjekur penalisht është ai i Bujqësisë, Ndue Preka. “Për probleme të vërejtura gjatë procesit të kontrollit të plotë, në vitin 2008, Inspektorati i Lartë ka dorëzuar një kallëzim penal në organin e Prokurorisë për fshehje pasurie , për një subjekt me funksion zv/ministër”, - thuhet në raport. Ndërkohë që kreu i ILDKP-së propozoi ndryshim të Kodit Penal për të kontrolluar më mirë jo vetëm pasurinë e zyrtarëve, por dhe të të afërmve të tyre. Ai propozoi përmirësime dhe në ligjin “Për deklarimin e kontrollit të pasurive” dhe ”Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”.
Propozimet
“Stafi ynë është duke përgatitur materialet me propozimet përkatëse për dy ligjet që lidhen me punën tonë, pjesë të të cilave i ka çuar në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë dhe jemi në pritje të reagimeve të tyre”, - tha dje Llalla. Ai shtoi se ligji për konfliktin e interesave ka përsëritje të dispozitave të ndryshme të legjislacionit, prandaj ka nevojë për thjeshtëzime që të jetë më i aplikueshëm. “Po kështu, ne kemi propozuar dhe një nismë ligjore për ndryshim të nenit 257/a të Kodit Penal që parashikon përgjegjësitë penale për të zgjedhurit. Të parashikohet përgjegjësi dhe për personat e lidhur me ta, pasi në hetimet e tyre prej nesh rezulton se në mjaft raste pasuritë e fituara në mënyrë të dyshimtë regjistrohen në emër të personit në lidhje me këta zyrtarë. Institucioni ynë ashtu dhe ai i akuzës, duke mos pasur një dispozitë që ndëshkon personat që lidhen me zyrtarin, nuk mund të kryejë hetime dhe të arrijë në konkluzione efektive”, - tha ai. Llalla pohoi gjithashtu se ILKDP duhet të marrë në kontroll dhe financimin e partive politike. Ai pohoi se ky institucion i ka të gjitha mundësitë për ta bërë këtë gjë. “Mendoj se institucioni ynë ka kapacitetet e duhura për ta marrë përsipër këtë përgjegjësi. Si institucionet homologe në vendet e Evropës Perëndimore merren me kontrollin e financave të partive, ILDKP ka dhe bazën e duhur teknologjike për regjistrimin e të dhënave”, - tha ai. Llalla propozoi gjithashtu që kontrolli i plotë i zyrtarëve në bazë të shortit të mos jetë një herë në 2 apo 4 vjet siç e ka ligji, por në një periudhë më të largët. Ai shtoi se kontrolli i plotë duhet të përqendrohet mbi bazën e të dhënave pra mbi ata zyrtarë që dyshohet se kanë fituar në mënyrë të paligjshme.
Raporti
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka evidentuar gjatë vitit 2008 plot 120 raste të dyshuara për konflikt interesi. Nga këto raste të evidentuara, 66 prej tyre kanë rezultuar me konflikt interesi të identifikuara në rrugë ligjore. Këto të dhëna janë pasqyruar në raportin vjetor të këtij Inspektorati të dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë. Aty thuhet gjithashtu se kanë qenë plot 70 zyrtarë të gjobitur për shkak se nuk kanë deklaruar brenda afateve ligjore pasurinë e tyre. 6 prej këtyre zyrtarëve madje kanë apeluar vendimin e ILDKP-së dhe 2 kanë vërtetuar me argumente ligjore arsyet e vonesës. Por ka pasur dhe nga ata zyrtarë të pabindur”, të cilët edhe pas njoftimit apo vendosjes së gjobës, nuk kanë bërë të njohur pasurinë e tyre. Në këtë rast ILDKP në zbatim të ligjit ka bërë kallëzim penal për “refuzim për deklarim”. Ndërkohë që mes të të kallëzuarve penalisht ka qenë dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Ndue Preka. Gjatë vitit 2008 janë regjistruar gjithsej 3913 subjekte deklarimi nga të cilat 343 subjekte për herë të parë.

Raporti i 2008

3913 subjekte deklarimi
343 deklarime nga zyrtarë të rinj
120 të dyshuar për konflikt interesi
70 zyrtarë të gjobitur
6 zyrtarë ankimuan vendimin me gjobë
2 zyrtarë fituan të drejtën pas ankimimit
11 zyrtarë me kallëzim penal

Marrëveshja, si do të verifikohen pasuritë e zyrtarëve

Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive nisi dje zbatimin e strategjisë kundër evazionit fiskal të krimit ekonomiko-financiar. Kreu i ILDP-së, Adriatik Llalla, ai i Drejtorisë së Parandalimit për Pastrimin e Parave, Arben Doçi, ai i Tatimeve, Artur Papajani, Avokati i Shtetit, Eduard Halimi si edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, nënshkruan të hënën Memorandumin e Bashkëpunimit kundër evazionit fiskal dhe krimit ekonomiko-financiar. Në fjalën e tij kreu i Inspektoratit, Adriatik Llalla, vlerësoi angazhimin e këtyre institucioneve dhe u rikujtoi subjekteve deklarues se 31 marsi është afati i fundit për deklarimin e pasurive të tyre. Në bazë të memorandumeve Inspektorati i Lartë angazhohet t u ofrojë institucioneve informacione dhe praktika në rast të zbulimit të shkeljeve ligjore nga subjektet deklaruese apo të dyshuara për evazion fiskal ose pasuri të fituara si rrjedhojë e krimit ekonomiko-financiar. Ndërkohë, institucionet si ajo e Parandalimit të Pastrimit të Parave, angazhohet në marrjen e masave për sigurimin e provave, për investigim brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, siç parashikohet edhe në Memorandum, angazhohet për përshpejtimin e procedurave ligjore në rastet e verifikimit të pasurive të fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale për subjektet që mbartin detyrimin për deklarimin e interesave private. Policia e Shtetit, angazhohet për të mbështetur në terren grupet e investigimit të Inspektoratit të Lartë, ndërsa Avokatura e Shtetit merr përsipër që, në bashkëpunim me ILDKP, të ndjekë rastet e pavlefshmërisë së akteve dhe kontratave administrative, nxjerrë në kushtet e konfliktit të interesave, si dhe zbatimin e procedurave ligjore për rregullimin e pasojave juridike të tyre. Nënshkrimi i këtyre Memorandumeve është pjesë përbërëse e strategjisë së Inspektoratit të Lartë për forcimin e mekanizmave dhe kapaciteteve investiguese, të cilat pritet të japin brenda një kohe të shkurtër rezultatet e pritshme nga publiku dhe të gjithë faktorët e jetës sociale, ekonomike e politike në vendin tonë.
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›