E Diel, 1 Nëntor 2026

Një sistem qeverisës ku kontrolli të jetë tek zgjedhësit

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Partisë Socialiste të Vërtetë 91 Petro Koçi, ka vijuar turin elektoral në komunat Bërdicë dhe Gur i Zi në Shkodër. Në këto takime është prezantuar projekti i PSV 91 për ndryshimin e sistemit politik të 21 Prillit drejt një demokracie ku qytetarët dhe zgjedhësit të kenë fuqinë e kontrollit mbi politikën dhe qeverisjen, qendrore apo lokale. Koçi theksoi se në dy vitet e fundit është shënuar një rënie e demokracisë, kufizim në përmasa të rrezikshme të pluralizmit dhe rritje në përmasa skandalesh të korrupsionit. “Ne jemi për një sistem politik, i cili garanton kompetenca kushtetuese të përfaqësuesve të popullit për të larguar nga pushteti qeverisjet e këqija jo vetëm një herë në 4 vjet. Politikanët e pakontrollueshëm nga qytetarët dhe sistemi demokratik në fakt kontrollohen nga pushteti informal i mafies së korrupsionit”, - tha ai. Petro Koçi deklaroi shpresën e përfshirjes të sa më shumë socialistëve në listat e PSV-së. “Kjo do ta forconte mundësinë e bashkëpunimit qeverisës mes dy koalicioneve të majta në 4 vitet e ardhshme. PSV 91 përfaqëson socialistët e majtë dhe jo socialistët përtej së majtës! Ne jemi e majta ndryshe nga Berisha, nuk jemi e majta njëlloj si Berisha”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›