Fier, 110 aplikantë në dy ditë
Kartat e identitetit
FIER - Ka startuar qysh prej dy ditësh procesi i aplikimit për kartat e identitetit në bashkinë Fier. Pranë ambienteve në katin e parë të bashkisë grumbullohen me dhjetëra qytetarë të cilët do të aplikojnë për t'u pajisur me dokumentin e identifikimit. Problemet në furnizimin e energjisë elektrike të këtyre zyrave kanë penguar regjistrimin e aplikantëve. Vetëm këto dy ditë kanë aplikuar rreth 110 vetë, ndërsa posta shqiptare ka shitur 3500 kupona nga 20 mijë copë që ka gjendje. Në këtë fillim procesi ka asistuar edhe prefekti i qarkut, Shahin Bejdaj, i cili ka deklaruar se tashmë e gjithë infrastruktura është e gatshme të përfundojë për 12 mijë emrat e parë, të cilët nuk kanë asnjë dokument identifikimi, ndërsa ka kryer përurimin e fillimit të punës në këtë proces. Bejdaj tha se janë marrë të gjitha masat që qytetarët të nisin nga aplikimi edhe në komunat e rrethit. Sipas tij, fundi i muajit shkurt do të jetë fillimi i këtij procesi në të gjithë zonat rurale. Ndërkohë, ka qenë data 10 shkurt ajo që ka sjellë kuponat e parë në qytetin e Fierit, e cila ishte deklaruar edhe si fillimi i regjistrimit, por që në fakt ka nisur një javë më vonë. Gjatë gjithë këtyre ditëve, shitja e tyre ka vijuar ndërsa vetëm dje dhe sot qytetarët kanë pasur mundësinë të aplikojnë.
Vlorë, keqinformimi i ministrit Nishani
VLORË - Ministri Nishani është keqinformuar nga firma për nisjen e funksionimit të zyrës së kartave në Vlorë. Kështu u shprehën burime nga prefektura e qytetit bregdetar lidhur me deklaratën e dhënë të hënën në parlament nga ministri i Brendshëm. Në fakt, megjithëse ishte deklaruar se gjithçka do të niste që në datën 12 shkurt, ende dje zyra e kartave të identitetit në Vlorë nuk kishte nisur funksionimin e saj. Ndërkohë, vetë prefektura akuzon për vonesat firmën e cila ka fituar tenderin dhe sipas saj, ajo ende nuk ka vendosur aparaturat. Prefekti Hasan Halili deklaroi se tashmë ka kaluar çdo afat i mundshëm, pasi procesi duhet të kishte nisur një javë më parë. Por në bashkinë e Vlorës si dhe atë të Orikumit der më tani ka mbërritur vetëm baza materiale, por jo udhëzimet nga firma. Ndërkohë, teksa vendorët vazhdojnë t'ia faturojnë fajin firmës fituese të tenderit, qytetarët e shumtë të cilët kanë prerë faturat në sportelet e postës presin çdo ditë pranë sporteleve të zyrave të aplikimit të kartave të identitetit. Megjithatë, ende nuk është dhënë asnjë përgjigje se kur do të fillojë ky proces, i deklaruar nga qeveritarët se "gjoja" ka filluar