E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Bektashijte kontribut per pavaresine dhe shqiptarine

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, me rastin e Ditës së Ashures. Kryeministri Berisha i përcolli Kryegjyshit botëror të Bektashinjve Baba Edmond Brahimajt dhe të gjithë besimtarëve bektashinj, urimet më përzemërta për këtë ditë të shenjtë, duke e konsideruar atë një ditë të mrekullive të mëdha në jetën shpirtërore të botës islamike, por edhe një ditë universale të Zotit.

Në urimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se “Dita e Ashures është një rast shumë i veçantë për t’u përcjellë urimet më të përzemërta, nderimin më të thellë, bektashinjve shqiptarë dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, këtë ditë të cilën mund ta konsiderojmë një ditë të mrekullive të mëdha në jetën shpirtërore të botës islamike, por edhe një ditë universale të Zotit. Sivjet ne e festojmë këtë ditë të Ashures në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit . Është rasti të shpreh nderimin më të thellë për rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që bektashinjtë shqiptar kanë dhënë në Pavarësinë e Shqipërisë, në doktrinën e kombit shqiptar, shqiptarësisë. Bektashinjtë, në çdo kohë, në çdo rrethanë, në çdo rast, kanë qëndruar në anën e kombit, në anën e vendit, kanë mbështetur çështjen e drejtë me sakrifica shumë të mëdha. Ndaj edhe uroj që Ashuren tjetër ta festojmë edhe më mirë, më të gëzuar, më të mëkëmbur, më të lirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›