Berisha Beme te gjitha leshimet opozita te votoje ne 6 gusht per imunitetin
Progresi i Shqipërisë, reformat e ndërmarra nga qeveria, si dhe ecuria e tyre në plotësimin e 12 rekomandimeve për integrimin në BE ishin çështjet e trajtuara gjatë takimit që Kryeministri Berisha zhvilloi ministren e Jashtme të Qipros, Erato Kozakou - Markoulli.
Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e plotë të mazhorancës qeverisëse për vazhdimin në frymën e dialogut e të bashkëpunimit me opozitën, të përmbushjes së 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. Në këtë frymë, vlerësoi Kryeministri, u arrit edhe drafti i përbashkët për kufizimin e imunitetit për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë, për të cilin maxhoranca bëri të gjitha lëshimet dhe pranoi kërkesat e Partisë Socialiste.
“Pas kësaj, mbetem me shpresën se opozita do të pranojë miratimin e kufizimit të imunitetit më 6 Gusht, si dhe të vazhdojë bashkëpunimin edhe për ligjet e tjera me shumicë të cilësuar”, u shpreh Kryeministri.
Ndalur në këtë çështje, ministrja Kozakou - Markoulli tha se në takimet e saj do të inkurajojë opozitën për të vazhduar në frymën e dialogut politik, bashkëpunimin për arritjen e rezultateve të tjera të pritshme edhe në kuadër të 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.
Gjithashtu, shefja e diplomacisë qipriote shprehu vlerësimet për reformat e arritjet e mëdha të Shqipërisë.
Sipas saj, duhet që para tetorit, në frymën e dialogut e bashkëpunimit, të jenë bërë hapa substancialë në drejtim të 12 prioriteteve të Bashkimit Europian dhe e rëndësishme në këtë drejtim është vazhdimi i dialogut dhe konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës.
Kryeministri Berisha tha se duke e përcaktuar integrimin në BE projektin e saj më madhor, Shqipëria po punon fort për këtë projekt.
“Ndonëse kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë, pasi ne e nisëm atë si vendi i tretë më i varfër në botë, me 204 dollarë për frymë, jemi vend me të ardhura mesatare të larta dhe kemi arritur disa nga treguesit e vendeve të zhvilluara. Arritje të mëdha janë shënuar gjithashtu në ndërtimin e një rrjeti rrugor tërësisht të ri e modern, në krijimin e një klime gjithnjë e më të favorshme për biznes e investime, në ruajtjen e rritjes ekonomike, ndonëse në një periudhë të vështirë të krizës financiare e ekonomike europiane e botërore, në fushën e turizmit dhe veçanërisht në fushën e ICT-së. Domethënës është niveli i investimeve të huaja në vend, ndër të më lartat për frymë në rajon. Por të gjitha këto ne i konsiderojmë vetëm si stacione në projektin tonë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar, për të cilën ne jemi angazhuar ta përmbushim dhe shqiptarët e meritojnë”, vuri në dukje Berisha.