Dhuratat për gjykatësit alarmojnë ILDKP-në
Dhuratat - Mbi 10 milionë euro para të thata apo prona qarkullojnë çdo vit nga miqtë e të afërmit për zyrtarët e shtetit në formën e dhuratave.
Taksat - Të ardhurat e zyrtarëve të lartë nga funksionet jashtë postit nuk ballafaqohen me pagesa të mundshme taksash të kryera për këto të ardhura
Hetimet - Deri më sot, ILDKP ka pasur të drejtë të pyesë zyrtarët, por jo familjarët e tyre për origjinën e pasurive të krijuara si dhuratë apo kredi
Ndryshimi - Kodi Penal është amenduar për të detyruar palët e treta të tregojnë burimin e pasurisë në rast se pyeten nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit
Indeksi - Indeksi e vendos Shqipërinë në vend të 95-të nga 183 vende të përfshira në raport. Renditja më 2011 qe tetë vende më poshtë sesa më 2010, kur Shqipëria mbante numrin 87
Inspektorati i Deklarimit të Pasurive hap hetime mbi pasuritë e familjarëve të gjykatësit të lartë, një nga shumë zyrtarët që ka akumuluar miliona me shpejtësi
Besar Likmeta, BIRN
Fatos Lulo është një nga zyrtarët më të lartë në Shqipëri. Ai jo vetëm që është anëtar i Gjykatës së Lartë, por rezulton se është edhe gjykatësi më i pasur. Përmes fitimeve të realizuara si një avokat në Tiranë dhe emigrimi në Kanada, si dhe nga dhuratat nga familja e tij, ka krijuar një pasuri të përbërë nga zyra, apartamente dhe para të thata prej qindra-mijëra eurosh. Në deklarimin e pasurisë prej tij, ai ka shënuar si burim të këtyre parave të ardhurat e krijuara si emigrant, si dhe dhurata të mëdha nga e motra, Drita Lulo. Gjithsesi, bujaria e madhe e së motrës nuk e ka bindur Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. ILDKP vëren se qindra zyrtarë të lartë marrin dhurata apo kredi me interes zero me vlerë dhjetëra milionë euro çdo vit nga miqtë dhe familjarët. Agjencia beson se një pjesë e madhe e këtyre dhuratave, përveç të qenët akte bujarie, janë edhe mënyra se si zyrtarët lëvizin paratë jashtë kontrollit. ILKPD ka arritur të sigurojë miratimin në Parlament të ndryshimeve në Kodin Penal, në mënyrë që të ketë të drejtë të hetojë jo vetëm zyrtarët, por edhe familjarët apo miqtë që i bëjnë dhurata kaq të mëdha. Me anë të fuqive të reja ligjore, ILKPD njoftoi së fundmi se ka nisur një hetim mbi pasurinë e familjes së gjykatësit të Gjykatës së Lartë, Fatos Lulo, si dhe shumë zyrtarëve të tjerë. I kontaktuar nga Balkan Insight, Lulo refuzoi të intervistohet apo të përgjigjet për pyetjet që lidhen me pasurinë e tij.
Dhurata dhe kredi
Mijëra studentë hyjnë në shkollë për Juridik në Shqipëri çdo vit. Megjithëse një vend i varfër me 2.8 milionë banorë, një karrierë si jurist mund tu sjellë atyre mundësi të mëdha për pasurim. Lulo u diplomua si jurist në Universitetin e Tiranës herët në vitet 80 dhe shërbeu si jurist në zyrën e Kryeministrit Adil Çarçani, si dhe në Ministrinë e Punës. Nga viti 1994 deri më 1999, hapi një zyrë avokatie në Tiranë. Sipas biografisë së tij, më 1999 emigroi në Kanada ku punoi si jurist në zyrën e Emigracionit të Kanadasë para se të kthehej në Tiranë më 2002 si avokat. Më 2003 u zgjodh komisionet në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Ai vijoi karrierën si avokat deri më 2006 kur u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë. Si zyrtar i administratës publike, Lulo u detyrua të deklarojë pasurinë dhe të ardhurat që nga viti 2003. Në deklaratën e parë të pasurisë më 2004, Lulo shënoi se kishte nën pronësi një apartament në Tiranë me vlerë 68 mijë euro të blerë me kursime personale dhe nga shitja e një shtëpie tjetër. Ai kishte gjithashtu një apartament në ndërtim në Kanada me vlerë 100 mijë euro dhe një zyrë me vlerë 95 mijë euro, të gjitha të blera me fitimet e punës së tij si avokat. Lulo deklaroi se kishte një llogari bankare në Toronto të Kanadasë me vlerë 400 mijë dollarë kanadezë, (324 mijë euro), të cilat i kishte fituar gjithashtu si emigrant. Zyra e tij avokatore në Shqipëri qe regjistruar si biznes i vogël me të ardhura më të ulëta sesa 8 milionë lekë, (58 mijë euro) në vit, por rezulton se i dha atij afro 195 mijë euro brenda pesë viteve nga 1994 deri më 1999. Problemi me këto shifra është se ai gjatë kohës që punonte si avokat nuk deklaroi kurrë të ardhura më të larta sesa 1.2 milionë lekë në vit, (8700 euro). Deklarata se ai kurseu 400 mijë dollarë kanadezë në tre vjet punë në Shërbimin e Emigrimit në Kanada, krijoi gjithashtu dyshime. Pagat për punonjësit publikë si juristë në Kanada janë mesatarisht 60 mijë dollarë kanadezë në vit. Më 2005, ndërsa qe ende avokat, Lulo deklaroi se i ka kthyer të motrës, Drita, një kredi me vlerë 480 mijë dollarë amerikanë. Ndërkohë, më 2008, gjykatësi mori një dhuratë nga e motra me vlerë 100 mijë dollarë dhe në vitin 2009, mori një dhuratë tjetër po nga e motra, gjithsej 172 metra katrorë zyrë në Tiranë, e cila vlen rreth 200 mijë euro. I pyetur për të shpjeguar diferencat e stërmëdha mes kursimeve gjatë punës si avokat në Toronto dhe Tiranë dhe të ardhurave të deklaruara apo arsyet se pse motra i bënte dhurata kaq të mëdha, gjykatësi refuzoi të përgjigjet. Motra e Lulos, Drita, është një inxhiniere që punon për një kompani ndërtimi të quajtur Teknoprojekt. Mbetet e paqartë nëse motra e Lulos ka burime të tjera të ardhurash përveç pagës së saj. Ndërkohë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive thotë se deklaratat e dhuratave apo kredive me interes zero për zyrtarët e lartë janë një çështje shqetësuese. Shumë zyrtarë, veçanërisht gjykatës dhe prokurorë, deklarojnë se kanë siguruar shuma të stërmëdha parash dhuratë apo kredi, si dhe dhurata shumë të shtrenjta nga të afërm dhe familjarë, deklaron zëdhënësi Albi Serani. Ai nënvijëzoi se rreth 10 milionë euro transferohen çdo vit për zyrtarët e lartë në Shqipëri nga palë të treta në formën e parave dhuratë apo kredive. Këto lëvizje kapitali jashtë sistemit bankar dhe i aseteve krijojnë dyshime të bazuara se në disa raste mund të kemi të bëjmë me skema për pastrimin e parave të përfituara përmes korrupsionit, shtoi ai.
Një defekt ligjor
Sipas Indeksit të Korrupsionit që publikohet çdo vit nga transparenca ndërkombëtare, shqiptarët thanë se e perceptonin korrupsionin si shumë të përhapur në nivelet më të larta të shtetit. Indeksi i dhjetorit 2011 e vendos Shqipërinë në vend të 95-të nga 183 vende të përfshira në raport. Renditja më 2011 qe tetë vende më poshtë sesa më 2010, kur Shqipëria mbante numrin 87. Pavarësisht nivelit të lartë të korrupsionit të raportuar në indeks e në shumë publikime të tjera, ILDKP ka kryer vetëm pak hetime të suksesshme përgjatë afro një dekade ekzistencë.
Gjatë vitit të kaluar i janë raportuar prokurorisë vetëm 16 raste për hetime, shumica përfshijnë zyrtarë të nivelit të mesëm e të ulët. Serani thotë se një faktor pas rezultateve të dobëta qenë edhe defektet ligjore që u lejojnë zyrtarëve të shmangin analizimet e thella. Kuvendi miratoi disa mendime të Kodit Penal në mars, të cilat vendosin penalitete për individët e lidhur me zyrtarët e lartë, të cilët refuzojnë të deklarojnë asetet e tyre, tha ai. Para miratimit të këtyre amendamenteve, këta individë refuzonin kërkesën e ILDKP-së dhe rrjedhimisht bllokonin hetimin.
Denoncimi i Llallës për Lulon dhe ish-kreun e KLSH-së