E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, Moratinos: Spanja, ndihmë për vizat dhe BE-në



Spanja do të ndihmojë Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në BE. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës, z. Miguel Angel Moratinos. Ministri Moratinos, në emër të Presidencës së radhës spanjolle të Bashkimit Evropian, shprehu mbështetjen për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave. Në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të BE-së dhe aplikimin e Shqipërisë, ministri Moratinos shprehu mbështetjen e vendit të tij për liberalizimin e vizave. Ministri spanjoll u shpreh: “Kjo është një çështje e karakterit teknik, për të cilën Shqipëria do të ketë mbështetjen dhe asistencën e Spanjës në përmbushjen e detyrimeve që ky proces mbart”. Kurse, z. Meta theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për “përmbushjen në kohë së më të shpejtë të të gjitha detyrimeve duke shënuar progres jo vetëm në prodhimin dhe pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike, por edhe në drejtim të menaxhimit të integruar të kufijve, të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit dhe reforma në sistemin e drejtësisë”. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Moratinos, e ftoi z. Meta për një vizitë zyrtare në Madrid.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›