Berisha: Besëlidhja e Lezhës, akti që u bë frymëzim për popujt e Europës
Kryeministri Berisha e ka cilësuar Besëlidhjen e Lezhës si akti me të cilin shqiptarët u përballën me superfuqinë e kohës dhe qëndruan të pamposhtur duke u bërë frymëzim për popujt e tjerë të Europës.
Sot ne nderojmë shpirtin e bashkimit kombëtar, 568 vjet më parë në këtë qytet lindi parimi i përjetësisë së shqiptarëve, i bashkimit të tyre Një komb një qëndrim, tha Berisha.
Lezhë, përkujtohet Besëlidhja e vitit 1444
Besëlidhja e Lezhës përkujtohet sot në 568 vjetorin e saj në këtë qytet përmes aktivitetesh të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe bashkia.
Në ceremoninë festive të pranishëm janë kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli; kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi dhe personalitete të larta të shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Veprimtaritë përkujtimore do të nisin rreth orës 11:00 paradite, ku autoritetet shtetërore dhe ato vendore do të vendosen buqeta me lule në Obelisk, ku do të ngrihet flamuri kombëtar.
Më pas do të zhvillohen homazhe në memorialin dhe varrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pranë monumentit të gjergj Fishtës.
Aktivitetet festive do të përmbyllen në një koncert, i cili do të mbahet në Pallatin e Kulturës së qytetit.
Tre ditë më parë, Aleanca Kuqezi kërkoi leje për organizimin e një tubimi festiv pikërisht sot në Lezhë. Por autoritetet vendore dhe policia e qytetit e refuzuan kërkesën e Aleancës Kuqezi, e cila akuzoi direkt kryeministrin Berisha.
Refuzimi i kërkesës sonë për një tubim festiv me rastin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës vjen me urdhër të Berishës. Kjo është në kundërshtim të plotë me ligjin. Refuzimi ka ardhur pasi Berisha mban një aktivitet në të njëjtën orë dhe ditë, thanë përfaqësues të AK. / G. N.