Ish-të përndjekurit, Rama: Thyejmë akullin e mbajtur gjallë nga shpifjet e Berishës
Në kuadër të programit Për një rilindje shqiptare, Partia Socialiste ka nisur diskutimet për problemet e shtresës së të ish-të përndjekurve politikë.
Kryesocialisti Rama e ka cilësuar tryezën si thyerja e akullit mes kësaj shtrese dhe Partisë Socialiste.
Ish-të përndjekurit vijojnë të jenë pengje të një paragjykimi ndaj nesh, të mbajtur gjallë përmes sharjeve dhe shpifjeve nga ana e Sali Berishës dhe oborrtarëve të tij, tha Rama.
Sipas tij, 21 vjet pas daljes nga ferri të kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare, ata mbeten ende të pakompensuar moralisht apo materialisht.
Do të jem tërë jetën krenar përpara çdo ish-të burgosuri politik sepse në vitin 1991 isha ndër të parët për hartimin e një peticioni që kërkonte lirimin e tyre që iu drejtua Presidentit Ramiz Alia. Atëherë Berisha më akuzoi se kërkoja të nxirrja nga burgu llumin e shoqërisë. Por unë do të jem krenar tërë jetën time, tha Rama.
Kreu i selisë rozë theksoi se programi i PS-së synon të adresojë me dinjitenin që u takon problemet e ish-të përndjekurve.
Ne do të diskutojmë me të përndjekurit për mosintegrimin e plotë të tyre në shoqëri. 21 vjet pas daljes së tyre nga ferri, çfarë do të duhej më shumë përballë atyre të dhënave rrënqethëse në shifra dhe fakte. Kjo plagë mbetet e hapur sepse asnjëherë nuk ka pasur një vulllnet politik për ta mbyllur. Lotët e krokodilit të derdhura për ta kanë qenë një tallje cinike. Vetë shpirti i persekucionit në kujtesën dhe trupat e viktimave të tij përpëlitet sot e gjthë ditën për shkak të një padrejtësie të mbetur në sistem. Skema jonë e re do të zgjerojë grupin e përfituesve dhe do të jetë progresive në varësi të viteve të burgut, tha Rama. / G. N.