Berisha: Besoj se do arrihet konsensusi për reformën zgjedhore
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, thotë se Shqipëria do të marrë çdo vendim që duhet për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Aleancë. Korrespondenti i BBC, Nick Thorpe, e intervistoi zotin Berisha në Budapest, gjatë vizitës zyrtare atje.
A janë kryer reforma zgjedhore dhe ajo gjyqësore?
Së pari, këto reforma janë themelore për Shqipërinë. Dua të them se për këto reforma ekziston një klimë shumë e favorshme. Në parlament u votua me konsensus të plotë ligji ‘Për sistemin gjyqësor’.
Tani po punohet për ligjin ‘Për prokurorinë’ dhe disa ligje të tjera. Ekziston ai që u quajt pakt kombëtar për të votuar të gjitha ligjet që lidhen me sistemin e drejtësisë.
Mendoj se kemi ecur në drejtimin e duhur dhe me rezultate konkrete.
Së dyti, po punohet për reformën zgjedhore. Pothuajse të gjitha partitë janë dakord që t'i pritet rruga një fenomeni tipik shqiptar të zgjedhjeve, i ashtuquajturi “Dushk”, i cili ka qenë një devijim tërësisht i papranueshëm i votës dhe që ka shtrembëruar rezultatet.
Ka një konsensus të plotë për një sistem proporcional, por ka debate, nëse do të jetë modeli spanjoll, bullgar, grek apo proporcional rajonal.
Gjithashtu, partitë e mëdha dhe organizmat ndërkombëtarë janë kundër listave të hapura, sepse mendojnë se ato dëmtojnë cilësinë e parlamentit dhe dëmtojnë ndershmërinë e zgjedhjeve. Ndërsa partitë e vogla janë kundër, ato janë për listat e hapura. Megjithatë, unë jam i sigurt që do të arrihet konsensusi.
Në anën tjetër, reforma elektorale përfshin çështjet e listës së votuesve dhe të certifikatave. Ne po kryejmë regjistrin elektronik të popullsisë dhe listën elektronike të votuesve dhe procesi po ecën mjaft mirë.
Javën e kaluar u krye tenderi për kartat e identitetit dhe pasaportat dixhitale me standardet më të mira.
Zgjedhjet e ardhshme do të bëhen me kartat e reja të identitetit, me listat elektronike të zgjedhësve dhe me sistemin e ri të adresave. Pra, do të bëhet më e mira e mundshme.
A keni besim se Shqipëria do të marrë ftesë për të hyrë në NATO?
Kam realisht shumë shpresë, por do të respektoj çfarëdo vendimi që do të merret. Pa dyshim, ne jemi angazhuar se do të marrim çdo vendim, do të ndërmarrim çdo reformë, do të paguajmë çdo çmim për të përmbushur kriteret dhe kërkesat e NATO-s.
Mendoj se qeveria ime do të punojë shumë seriozisht në këtë drejtim.
A ia vini fajin kryeministrit serb, Koshtunica, për zemërimin e rritur të serbëve këto ditë?
Më vjen shumë keq për qëndrimin e kryeministrit Koshtunica. Mendoj se ai nuk është realist, sepse mendoj se mitet dhe politika nuk mund të qëndrojnë së bashku.
Mitet duhen lënë mënjanë. Kjo puna e djepit më duket shumë jorealiste.
Nuk jam i sigurt, nëse ata sollën djepin e tyre apo morën djepin tonë në Kosovë. Megjithatë, në një djep mund të rriten disa foshnja.
Nga ana tjetër, më duket jorealiste që të kërkosh djepin në shtëpinë e fqinjit. Nuk është aspak realiste ajo çka thonë serbët. Si mund t’i thuash një kombi se djepi i tij është një vend tjetër? Djepi i tyre është Beogradi.
Kosova nuk mund të jetë kurrë zemra e një kombi tjetër. Atje ka disa manastire, por ato kanë qenë katolike romane përpara se serbët të mbërrinin dhe kjo është provuar.
Manastiri i Pejës është ndërtuar në pronat e një familjeje shqiptare me mbiemrin Zajmi. Ata kanë qenë mbrojtës të manastirit për shekuj me radhë. Mendoj se kryeministri Koshtunica duhet të jetë më realist.