E Diel, 1 Nëntor 2026

Onkologjiku, buxheti i akorduar për medikamente i pamjaftueshëm

Buxheti prej 3.5 milionë eurosh, i akorduar nga drejtoria e QSUT-së për pacientët e onkologjikut, ka ngjallur menjëherë reagime negative te mjekët. Sipas tyre, buxheti nuk i plotëson aspak kërkesat e pacientëve të onkologjikut për medikamente, ndaj i janë drejtuar menjëherë drejtorit të QSUT-së me një kërkesë, ku kërkohet dyfishim i buxhetit. “Aktualisht, drejtoria spitalore i ka akorduar këtij pavijoni një buxhet prej 3.5 milionë eurosh për sëmundjet e rënda kancerogjene”, - pohoi shefi i Onkologjisë, Agim Sollaku, sipas të cilit, pavijoni vazhdon të vuajë mungesën e medikamenteve.
Që të sëmurët me kancer të mjekohen rregullisht me medikamntet bazë, citostatikët, nevojiten 8.5 milionë euro. Kjo është kostoja reale që mjekët e pavijonit të Onkologjisë në qendrën spitalore “Nënë Tereza” kanë nxjerrë, pas një studimi mbi trajtimin klinik të pacientëve të tyre. Shefi i pavijonit të Onkologjisë, Agim Sallaku, pohoi se, “përmes një kërkese zyrtare, pavijoni i Onkologjisë i ka kërkuar drejtorisë spitalore që blerja e këtij viti për citostatikët të kapë shifrën e 4.5 milionë eurove, megjithëse nevojat e plota të trajtimit klinik kanë nevojë për dyfishim të këtij buxheti.” Sipas tij, “citostatikët blihen gjithmonë me tendera të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT dhe për raste të veçanta bëhen edhe blerje të vogla, por që, duke pasur parasysh koston e madhe të preparateve me blerje të vogla, kurrë nuk arrin që të bësh një blerje të saktë.”

Shtohen rastet me kancer

Sipas Regjistrit Kombëtar për Kanceret, në vendin ndodhin rreth 100 vdekje për 100 mijë banorë nga tumoret. Kanceri është i dyti vrasës pas sëmundjeve të zemrës në vendin tonë. Regjistri kombëtar pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë tregon një rritje të përditshme të rasteve të kancerit dhe këto ritme flasin për një dyfishim të rasteve në tri dekadat e ardhshme. Sipas specialistëve, rritja e rasteve në të ardhmen do të ndodhë si pasojë e ndryshimit në strukturën moshore të popullsisë shqiptare, me rritjen e moshës mesatare të popullsisë dhe shtimin e grupmoshave të vjetra. “Rritja e rasteve në të ardhmen do të ndodhë si pasojë e ndryshimit në strukturën moshore të popullsisë shqiptare, me rritjen e moshës mesatare të popullsisë dhe shtimin e grupmoshave të vjetra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë”, - pohojnë specialistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›