E Diel, 1 Nëntor 2026

Fried: Kosovës i duhen 2 miliardë USD, SHBA-të ofrojnë 350 milionë

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euroazisë, Daniel Fried, ka thënë të martën se Kosovës i duhen rreth 2 miliardë dollarë ndihma nga jashtë deri në fund të vitit.
Në një seancë dëshmish me zyrtarë dhe ekspertë amerikanë për situatën e re të krijuar në Ballkan, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të organizuar nga Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Fried tha se Kosova ka nisur një fillim të mbarë që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia, ndërsa ka shtuar se asaj i duhet edhe më tutje ndihmë e madhe për t’u bërë një shtet i aftë.
Ai ka potencuar se shuma prej 2 miliardë dollarësh është një “vlerësim i vrazhdë”. Ai tha se për ta bërë Kosovën të qëndrueshme ekonomikisht, SHBA-të do të marrin pjesë në konferencën kryesore të donatorëve për Kosovën, që do të mbahet në qershor, duke shpjeguar se Kongresi amerikan tashmë ka përllogaritur një ndihmë për Kosovën prej 350 milionë dollarësh.
Pjesa tjetër e parave, rreth gjysma e tyre, sipas Friedit, do të duhej të sigurohej nga Europa, ndërsa pjesa e mbetur nga institucionet siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Duke përsëritur kritikat e ashpra të SHBA-ve ndaj Serbisë për nxitjen e dhunës ndaj Kosovës, Fried tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Serbia do ta ndryshojnë kursin në mënyrë vendimtare drejt integrimeve me Europën Perëndimore.
Edhe kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, senatori Joe Biden, po ashtu i tërhoqi vërejtjen Serbisë për qëndrimin që po mban. “Qeveria e Serbisë duhet ta ndalë shfrytëzimin e pavarësisë së Kosovës që të mos i shkaktojë më tepër dëme këtij vendi”, - tha senatori Biden, duke shtuar se, “Serbia duhet të fillojë të ndryshojë politikën e saj të dështuar në 15 vitet e fundit dhe ta shohë të ardhmen si pjesë e Evropës.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›