Vitor Sá, kundër Qatos më 4 prill
• Është njohur edhe kundërshtari i Kreshnik Qatos për sfidën e dyfishtë të fillimit të prillit dhe ai do të jetë portugezi Vitor Manuel Ferreira de Sá.Më 4 prill 2008, Qato, i cili banon dhe stërvitet në Britaninë e Madhe, do të zhvillojë një duel me vlerë të dyfishtë, pasi vlen për Titullin Mesdhetar të Federatës WBC, si dhe për Titullin e Kampionit të Botës në version WBF. Ky duel i Qatos, me kundërshtarin portugez, që është përcaktuar me short, do të jetë i vlefshëm për peshën e mesme. Boksieri portugez, i njohur shkurt si Vitor Sá, ka lindur në kryeqytetin e vendit, Lisbonë më 13 mars 1973 dhe numëron në karrierën e tij mbi 50 ndeshje, por vetëm 16 prej ai i ka zhvilluar si boksier profesionist. Në këto 16 ndeshje, ai ka korrur 13 fitore dhe është mundur në 3 të tjerat. 34-vjeçari është shpallur "kampion" i Portugalisë për 7 vite radhazi, nga viti 1998, deri më 2004-n, vit kur ka fituar gjithashtu edhe Kupën e Portugalisë në boks. Një tjetër sukses i tij, ishte ai i kampionit iberik, i arritur më 2005-n, përpara se të shndërrohej në boksier profesionist. Vitor Sá, i cili renditet i 135-ti në botë, midis 955 boksierëve të peshës së mesme, është 1 metër e 72 centimetra i gjatë dhe peshon 72 kg. Ndeshja e 4 prillit 2008 do të zhvillohet në Tiranë, në ora 20:00 dhe do të përcillet drejtpërsëdrejti nga Televizioni Publik Shqiptar. WBC renditet si federata më e mirë në sportin e boksit dhe qendrën e ka në Meksikë. Kohët e fundit, ajo ka themeluar edhe një titull të ri, të quajtur "WBC Mesdhetar", që përfaqëson rreth 22 shtete, ndër të cilët edhe Shqipëria.