E Diel, 1 Nëntor 2026

Wolfarth: Kodi Zgjedhor aktual jep garanci, nuk ka kohë për ta ndryshuar

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, deklaroi dje se vendi i ka të gjitha mundësitë për të pasur zgjedhje lokale të lira e të ndershme. Deklarata e ambasadorit vjen pas shqetësimeve të vazhdueshme të opozitës për përgatitjen e zgjedhjeve. Gjatë një vizite në qytetin e Lezhës, ambasadori Eugen Wolfarth tha se nuk ka kohë për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor. Madje ai shtoi se një nga garancitë është që Kodi të mos ndryshohet në këto momente. “Dita e zgjedhjeve është shumë pranë dhe nuk është koha të ndryshohet Kodi Zgjedhor, pasi përgatitjet janë në fazën e fundit dhe qytetarët, votuesit, kanë nevojë për siguri ligjore. Kodi aktual e jep këtë siguri dhe një pjesë e kësaj sigurie është të mos kemi ndryshime të papritura. Koha për ndryshime në Kodin Zgjedhor do të vijë shumë shpejt në zgjedhjet pasardhëse”, tha Wolfarth. Sipas tij, opozita duhet të marrë pjesë në mbledhjet e KQZ-së dhe shprehu shqetësimin që ende anëtarët e opozitës nuk po marrin pjesë në këto mbledhje. “Në KQZ ne kemi 7 anëtarë të përzgjedhur nga qeveria dhe opozita, dhe të gjithë duhet të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit. Ajo që kemi vërejtur me shqetësim është se kjo gjë nuk po ndodh prej disa javësh”, tha ai. Një tjetër pohim i ambasadorit ishte edhe çështja e listës së zgjedhësve. Sipas tij, ato janë në përpunim e sipër, por çdo qytetar mund të verifikojë emrin nëse e ka në listë. “Lista paraprake, ashtu si listat e zgjedhjeve, përgatiten me anë të një sistemi të përmirësuar të adresave në zyrat e gjendjeve civile dhe me anë të bashkëpunimeve institucionale. Dhe, sipas informacionit që unë kam, listat paraprake janë publikuar që qytetarët të kenë mundësi t’i shohin”, ka pohuar Wolfarth.

Zgjedhjet lokale, Lajçak më 22 mars në Tiranë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, do të vizitojë sërish Tiranën zyrtare. Mësohet se diplomati i lartë europian do të kryejë takime me të gjithë liderët politikë e shtetërorë shqiptarë për zgjedhjet lokale të 8 majit. Në të njëjtën kohë, vizita e Lajçak mbahet edhe për situatën aktuale politike, ku opozita ka kërkuar garanci shtesë për zgjedhjet vendore. Vizita e ditës së martë do të shoqërohet edhe më një konferencë për shtyp e diplomatit të lartë europian për të dhënë një përmbledhje të takimeve të tij si dhe mesazhin për liderët shqiptarë. I dërguari i posaçëm BE-së erdhi në Shqipëri për herë të parë në muajin shkurt, ku ai negocioni mes palëve për situatën e rënduar politike, pas ngjarjeve të rënda të 21 janarit. Detyra e Lajçak ishte të negocionte mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës së rëndë politike. Ai kërkoi që forcat politike të punonin në funksion të përgatitjes dhe realizimit sa më të mirë të zgjedhjeve të 8 majit.

SHBA: 8 maji, zgjedhje demokratike

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë misionit amerikan në OSBE, Ian Kelli, deklaroi dje se SHBA-të presin zgjedhje të lira e të ndershme në datën 8 maj. “Të gjithë duhet t’i përmbahen Kushtetutës, të zbatojnë ligjin, të respektojnë institucionet e pavarura dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe plotësisht në procesin zgjedhor. Zgjedhjet e 8 majit janë një forum i ligjshëm për diskutimin dhe efektin e ndryshimeve politike. Shtetet e Bashkuara, krahas ODIHR-it, do të vazhdojnë të ndjekin përgatitjet për zgjedhjet dhe janë gati të ndihmojnë për të siguruar një proces të lirë, të drejtë dhe të besueshëm. Në valën e ngjarjeve të 21 janarit, komuniteti ndërkombëtar ka punuar intensivisht me të dyja palët për një atmosferë që t’i shërbejë dialogut normal politik. Provokimet, përfshirë edhe retorikën e ashpër, nuk u shërbejnë interesave të Shqipërisë”, tha Kelli për VOA.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›