E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bisedimet ishin një pikënisje, do tentojmë zbatimin e parimit kushtetues për 3 raundet e para

04-06-2012 / Gazeta 55

Takimi i mbrëmshëm i paraprin raundit të dytë kushtetues të zgjedhjes së Presidentit të ri, i cili zhvillohet sot në orën 10.00. Fundjavën e kaluar, kryeministri Berisha u shpreh i hapur për një takim me Ramën, nëse ky i fundit është i interesuar për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit pa ultimatume dhe kërcënime 

Siç edhe ishte njoftuar mbrëmë rreth orës 20.30, dy liderët Berisha dhe Rama iu drejtuan kryesisë së Kuvendit, pë të zhvilluar takimin mes tyre, të shoqëruar nga kryetarët e grupeve parlamentare, respektivisht Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi.
Objekt i këtij takimi negociues dhe konsultativ ishte vetëm zgjedhja e presidentit. Partia Socialiste është tërhequr nga paketa e saj kushtëzuese me katër pika, ndërsa duket se është fokusuar vetëm te zgjedhja e kreut të ri të shtetit (kjo u pa edhe nga deklarata e Edi Ramës, pas takimit me kryeministrin Berisha).
Edhe pse raundi i parë i procesit u ezaurua pa votim dhe kandidatë, pavarësisht se oferta e mazhorancës ishte një propozim mjaft i mirë dhe i pakundërshtueshëm, veç se ishte produkt i një tryeze negociatash të koalicionit të mazhorancës, opozita hezitoi të japë konsensusin dhe përkundrejt një qëndrimi konkret politik, shpalli platformën e ultimatumit me katër pika.
Në një krizë besimi mes palëve, Xhezair Zaganjori u refuzua nga PS si kandidaturë e njëanshme, edhe pse CV-ja e tij s’kishte qoftë edhe një angazhim të vetëm politik pranë Partisë Demokratike apo Lëvizjes Socialiste për Integrim (si dy forcat kryesore politike të tryezës së mazhorancës).
Gjithsesi PS hezitoi të shprehej për kandidaturën e propozuar nga mazhoranca, ndërsa nga ana tjetër nuk shpalosi asnjë prej alternativave të saj. I njëjti qëndrim u vërejt edhe mbrëmë, Edi Rama e tha qartë dhe shprehimisht se PS s’ka kandidatë për President dhe as do ketë në këtë proces, ndërsa, përfundimisht “topi” është në gjysmëfushën e mazhorancës, se kush do të jetë presidenti i ri i vendit.

Berisha: Mazhoranca i ka bërë tërheqjet e saj, opozita të ecë të hapat e duhur
Shefi i mazhorancës, Sali Berisha u shpreh dje në përfundim të takimit me kreun e opozitës Edi Rama se do të vazhdojë dialogu mes palëve, me qëllim arritjen e konsensusit në procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Berisha theksoi se mazhoranca nga ana e saj, bëri të gjitha lëshimet e mundshme, duke u tërhequr nga interesat partiake, ndërsa momenti për të reflektuar i takon opozitës, e cila në këtë proces duhet të bëjë hapat e saj.
“Vendosmëria e mazhorancës për një përpjekje, për zgjidhje konsensuale, të këtij problemi, ashtu siç përcakton kushtetuta e cila në frymë dhe në germë e përcakton këtë zgjidhje si zgjidhje kushtetuese të 3 raundeve të para. U bë një shkëmbim, do të thosha i hapur i mendimeve dhe pikëpamjeve për procesin. Ju tashmë e dini që, mazhoranca ka bërë hapat e veta, ka bërë tërheqjet e veta, ka bërë paraqitjen nga një fushë jashtë interesave të ngushta partiake, duke iu dhënë përparësi përpjekjeve serioze për një zgjidhje konsensuale me opozitën. Ne besojmë dhe mendojmë që edhe opozita do të bëjë hapat e saj”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se në tryezë nuk u diskutua për emra konkretë, por u elaboruan modalitetet e mundshme në përpjekjet për konsensualitet. “Unë nuk them se ne erdhëm këtu me një rezultat konkret. Jo. Por u shprehën qëndrimet dhe pozicionet. U elaboruan modalitetet e përpjekjeve për konsensualitet dhe kjo ishte e tërë ajo çka u diskutua në këtë takim”, tha më tej kryeministri Berisha, pas takimit me kreun e opozitës, Edi Rama.

Rama: Opozita s’mund të futet në garë emrash, dakord për një president uniteti
“Ne qëndrojmë në pozicionin parimor që nuk mund të hyjmë në një garë emrash pa përcaktuar vullnetin për ta zgjidhur me konsensus këtë çështje”.
Kështu u shpreh dje kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama pas takimit të zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha, në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Rama e cilësoi takimin me Berishën si pikënisje të një konsensusi të pritshëm mazhorancë-opozitë.
“Patëm një shkëmbim të hapur të këndvështrimeve. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka kemi në dorë, për t’i dhënë Shqipërisë presidentin që meriton. Me votat e qeverisë dhe opozitës. Shtruam linjën tonë të qasjes dhe garantuam se qëllimi ynë është që ta zgjidhim këtë çështje me dakordësi. Nuk kemi kushte. Kemi vetëm dëshirën e mirë dhe vullnetin e palëkundur që, të kontribuojmë, të jemi bashkautorë dhe bashkëpërgjegjës në zgjedhjen që parlamenti duhet të bëjë. Për sot, nuk ka asnjë zhvillim në drejtim të një rezultati konkret, por besoj që ka një bazë, për të vazhduar të diskutohet me qetësi dhe respekt reciprok se kjo çështje duhet zgjidhur dhe se raundet nuk janë aty për t’u konsumuar njëri pas tjetrit, duke vetëm folur dhe komunikuar, por janë, që nesër, për të bashkuar qeverinë dhe opozitën në një zgjidhje konsensuale. Ne nuk duam një president të PS, nuk duam të vendosim njëanshmërisht, apo të imponohemi në çfarë do mënyre, por duam të kontribuojmë. Qeveria duhet të na japë mundësinë që të kontribuojmë”, tha ai.
Kreu i PS-së rikonfirmoi qëndrimin e mëhershëm të Partisë Socialiste, kundër kandidaturës së mazhorancës. Për Edi Ramën, anëtari i Gjykatës Kushtetuese Xhezair Zaganjori është kandidat i njëanshëm dhe se nuk është diskutuar me opozitën.
“Ne kemi përsëritur qëndrimin që njihet publikisht dhe kemi kërkuar që, një hapje e vogël, e cila ka ndodhur, duke kaluar nga qëndrimi i shumë muajve më parë, në një qëndrim që në vetvete përbën një përpjekje për pikëtakimin me opozitën, të zgjerohet, por jo me emrin e kandidatit që është paraqitur njëanshmërisht nga mazhoranca”, theksoi kreu i PS-së, Rama.
Duke u ndalur te raundi i dytë i zgjedhjes së presidentit, për të cilin Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00, në seancë plenare, Rama tha se opozita nuk do të shprehet as gjatë këtij raundi, përsa kohë kandidati i vetëm është Xhezair Zaganjori.
“Për momentin qeveria qëndron tek kandidatura e Zaganjori, ndërsa ne qëndrojmë në pozicionin parimor që nuk mund të hyjmë në një garë emrash pa përcaktuar paraprakisht jo vetëm vullnetin për ta zgjidhur me konsensus, por edhe një modalitete të qartë që nuk nënkupton përsëritjen e eksperiencës së vitit 2007. Kemi vetëm një qëllim, t’i japim Shqipërisë presidentin e konsensusit mes qeverisë dhe opozitës”, tha më tej, Edi Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›