E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në orën 10.00, raundi i dytë i zgjedhjes së Presidentit të ri

04-06-2012 / Gazeta 55

Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, në raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. E megjithatë, në Komisionin e Ligjeve nuk është depozituar ende zyrtarisht asnjë emër konkret.
Ashtu siç e kërkon procedura, kandidatët me mbështetjen e 20 deputetëve duhet të kalojnë më parë në shqyrtim në Komisionin parlamentar të Ligjeve ku do të vlerësohet nëse përmbush kriteret kushtetuese apo jo. Kandidati i vetëm në garë vazhdon të jetë ai i propozuar nga mazhoranca javën e kaluar, Xhezair Zaganjori dhe sipas të gjitha gjasave edhe këtë raund nuk do të hidhet në votim, për shkak të mungesës së konsensusit të opozitës.
Negociatat e djeshme mes shefit të mazhorancës, Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama përfunduan pa rezultate konkrete si dhe asnjë prej palëve nuk u shpreh me emra të kandidatëve.
Negociatat dhe konsulatat mazhorancë-opozitë pritet të vazhdojë gjatë ditëve të ardhshme, për të konkluduar me një votim të mundshëm unanim gjatë raundit të tretë.
Në bazë të kushtetutës, kreu i ri i shtetit do të zgjidhet në njërin nga pesë raundet që do të përcaktohen. Në tre raundet e para Kushtetuta kërkon që Presidenti të zgjidhet me 84 vota, pra me një shumice te cilësuar votash e cila nuk mund të arrihet vetëm nga mazhoranca dhe opozita. Por në rast se këto tre raunde të para dështojnë, atëherë Kushtetuta parashikon dy raunde te tjera ne te cilat kreu i ri i shtetit do te zgjidhet me 71 vota. Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon ne zgjedhje te reja kur edhe pas këtij votimi asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas dështimit te votimit te katërt nuk paraqitet asnjë kandidature e re. Zgjedhjet e reja parlamentare zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij dhe Kuvendi i ri e zgjedh Presidentin e Republikës që në fillim me shumicën e të gjithë anëtareve të tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›