Gjenovë, ndërhyrje e rrallë për foshnjën shqiptare
Të tilla histori rrëfehen gjithnjë për Krishtlindje, në netët e ftohta, pranë një zjarri bubulak, ndoshta për të treguar vërtet atmosferën që sjell kjo festë dhe "metamorfozën" që pësojmë të gjithë ne, për t‘u bërë pak "më të mirë", në rast festash.
Psikologët e shpjegojnë se secili prej nesh ka nevojë të bëjë vepra të mira për të qenë në paqe me veten, ndërkohë që e mira dhe e keqja qëndrojnë gjithmonë të lidhura bashkë, ashtu si shenja e vjetër kineze bardhezi e cila thotë: "Çdo e mirë e ka një të keqe dhe çdo e keqe e ka një të mirë".
Edhe shqiptarët do të kenë një histori Krishtlindjesh, për ta treguar gjtihmonë në prag festash, edhe pse kjo festë quhet një "traditë" e huazuar. Një nga dhuratat që u ka bërë zemrën mal të gjithë shqiptarëve që e kanë dëgjuar, është bërë nga spitali "Gaslini", në Gjenovë, Itali. Stafi mjekësor i kësaj qendre ka kryer një nga ndërhyrjet më të rralla që do të shënohet në librin e kujtimeve të operacioneve në sektorin shëndetësor, në Itali.
Mjekët i kanë shpëtuar jetën një foshnje 11 muajsh shqiptare, e cila ka gëlltitur pa dashje një paramandë. Një çatall, siç i thonë shqiptarët e veriut, në dialektin geg. Një nga çatallët që ne shqiptarët shpesh i përdorim për të kapur veshje, grykore apo edhe nuska për të mos marrë sysh fëmijët e vegjël.
Historia
Fëmija 11 muajsh, pa dashur kaloi nëpërmjet gojës paramandën e cila do të ishte fatale për organet e tij të vogla, duke i shkaktuar edhe humbje të jetës, për shkak të shpimit që mund të sillte maja e këtij sendi. Pasi është sjellë në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", mjekët e këtij spitali nuk kanë dhënë shpresa për realizmin e ndërhyrjes. Ndërkohë që koha kalonte, minutat një pas një bëheshin fatale për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore. Duke u ndodhur në të tilla kushte, drejtuesit e fondacionit bamirës "Ali Spahia", kanë nisur nga kërkimet për të nxjerrë nga rreziku fëmijën dhe për t‘i bërë dhuratën më të bukur të Krishtlindjeve, shpëtimin e jetës. Dy administratorët e fondacionit bamirës, njëkohësisht në funksione shtetërore, fëmijët e të ndjerit Ali Spahia, Bardh dhe Nausika Spahia në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë morën përsipër të bëheshin kumbarët e kësaj fëmije duke kërkuar ndihmë në spitalet më të njohura të vendit fqinj.
Rrugëtimi
Konsullja shqiptare në Itali, pas bisedës me zv.ministrin e Shëndetësisë, nisi t‘u telefononte mjekëve që punojnë në spitalet më të rëndësishme në Itali, për të marrë përsipër rastin e rrallë të fëmijës shqiptar që përcolli gjilpërën-mbërthesë në mënyrë të pavetëdijshme. "Filloj të kontaktoj të gjithë miqtë e mi mjekë në struktura të ndryshme spitalore. Përgjigjet një e nga një ishin negative: Asnjë nuk pranon të marrë përsipër një intervent të tillë, asnjë nuk garanton rezultatin pozitiv. Fëmija është tepër i vogël. Kalon një ditë ku ekipe të ndryshme studiojnë rastin dhe nuk japin ok. Fillova të humbisja çdo shpresë duke pasur parasysh edhe anën burokratike që zgjat shumë për vizat... Koha kalonte", sqaron Nausika, kumbara e fëmijës 11 muajsh.
Nga ana tjetër zv.ministri i Shëndetësisë, provonte të bisedonte me qendrat spitalore në Turqi dhe Greqi për mundësinë e transferimit. Edhe prej tyre përgjigje negative.
"Ishim në një pikë të vdekur, por asnjeri nuk dorëzohej. Kontaktoj dhe një herë me mjekun primar në pediatrinë e spitalit të Novares, i cili më tha se duhet të provoja në "Gaslinin" në Gjenovë dhe "Bambino Gesù" në Romë, të vetmit që mund të tentonin të kryenin një ndërhyrje të tillë, te një foshnje kaq të vogël.
Kontaktoj dr. Del Buono drejtorin e "Gaslinit", i shpjegoj rastin, i lutem të më ndihmojë si e vetmja mundësi që kemi për të shpëtuar këtë fëmijë dhe më në fund përgjigjja erdhi", rrëfen konsullja Spahia. Fëmija do të operohej në Gjenovë.
"Historia është humane dhe prekëse, aq më tepër në prag të festave të fundvitit ku të gjithë kemi nevojë të dëgjojmë lajme të mira", u shpreh doktor Del Buono, drejtor i qendrës "Gaslini", që mori përsipër edhe operacionin e vështirë.
Ndërhyrja
Atë që s‘e bëjmë dot me axhendë e në mënyrë të sintonizuar edhe pse mund të diskutojmë, e bëjmë në raste urgjence.
Ambasada italiane, në kohë rekord ka pajisur me vizë, nënën e fëmijës dhe menjëherë është dërguar në spitalin e vendit fqinj.
Më tre dhjetor mbërrin nëna dhe fëmija. Foshnja mbahet në terapi intensive. Ekzaminimet tregonin se vajza kishte një paramandë në trake, fare pranë enëve të gjakut.
Për shkak të pozicionit të sendit, operacioni ishte tepër i vështirë, sepse kontrolli i majës ishte i paparashikueshëm
Vincenzo Tarantino, Oliviero Sacco, Giuseppe Cervo, Pietro Dal Monte, Piero Buffa, Franco Puncuh, Franco Lerzo ishin "engjëjt mbrojtës" të foshnjës shqiptare 11-muajshe.
Pasi kanë studiuar rastin, grupi i mjekëve ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale për 7 orë me radhë. Operacioni kishte probabilitetin për të dështuar në masën 50 me 50 për qind. Vullneti, dëshira e mirë dhe gjithë dashuria për një dhuratë Krishtlindjesh, kanë nxjerrë nga rreziku për jetën vajzën e vogël. Një ndërhyrje e tillë rezulton të jetë e rrallë edhe për shëndetësinë italiane. Nëna shqiptare bashkë me vogëlushen, pritet të rikthehen në vend për të qenë pranë familjes për festat e fundvitit.