E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bllokimi i reformave nga PS na la dy vjet pa status

Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar dje sërish kreun e PS-së, Edi Rama, për bllokimin e marrjes së statusit të vendit kandidat. Duke folur në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror të Integrimit, kreu i qeverisë tha se qëndrimi i opozitës bëri që Shqipëria të mos ishte në axhendën e Brukselit për avancimin në drejtim të integrimit. Mosvotimi i këtyre reformave, siç është bërë e qartë si kristali, e la Shqipërinë dy vjet pa status. Opozita, kryetari i saj, deklaroi pas zgjedhjeve të 8 majit 2011, se do të votojë çdo gjë që kërkohet për integrimin europian. Kjo është deklarata e tij. Megjithatë, e vërteta është që ndryshime ka, opozita është në Parlament, opozita voton, opozita amendon ligjet. Por ajo që ndodhi javën e kaluar ishte tërësisht melodia dhe muzika e vjetër e bllokimit. Tani sërish ata votuan Kodin, u shpreh Kryeministri. Ai tha se 12 rekomandimet e vendosura nga Komisioni Europian një vit më parë janë pjesë e programit të punës së qeverisë. Sipas kreut të Ekzekutivit, gjatë këtij viti Plani i Veprimit është ndarë mes qeverisë dhe Parlamentit. Kjo për Berishën do të thotë një komunikim konstant me Komisionin e Integrimit. Ky fakt e dyfishon përgjegjësinë e qeverisë. Në njërin aspekt, qeveria dhe agjencitë e saj duhet të bëjnë gjithçka për zbatimin e të gjitha kërkesave dhe standardeve të raportit. Nga ana tjetër, qeveria dhe agjencitë duhet të komunikojnë në mënyrë konstante me Komisionin e Integrimit dhe të raportojnë sa herë që kërkohet nga ky komision, sikundër duhet të përshtatë qëndrimet me ato të cilat bien dakord në Komisionin e Integrimit, u shpreh Berisha. Ai konfirmoi edhe një herë qëndrimin e maxhorancës për të bashkëpunuar me opozitën për integrimin e vendit në BE. Edhe njëherë, unë dua ti garantoj qytetarët shqiptarë se ne mbetemi shumë të vendosur të bëjmë gjithçka që është në dorë të qeverisë, për të avancuar këtë proces, do të bëjmë gjithçka brenda atyre parimeve më themelore për një bashkëpunim të shëndetshëm me opozitën, u shpreh kreu i maxhorancës.

Takimi, KE: Jo vetëm angazhimi politik
Shefi i Njësisë për Shqipërinë pranë Drejtorisë së Zgjerimit të Komisionit Europian, Vassilis Maragos, tha dje në Tiranë se për plotësimin e rekomandimeve nuk duhet vetëm angazhimi politik, por edhe zbatimi në terren. Gjatë takimit konsultativ BE-Shqipëri për Planin e Veprimit, ku merrte pjesë edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ai tha se nuk duhet të mendojmë vetëm për angazhimin politik, por edhe për implementimin në terren të këtyre pikave. Është e rëndësishme të kemi të dhëna solide që Shqipëria të mund të lëvizë në etapën tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›