E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha po kontrollon sekretet

Kreu u PS Edi Rama

Debate mes opozitës dhe maxhorancës tek Integrimi për informacionin e klasifikuar.

Çota: Kryeministri është i pari. Bushati: Rrahim, je antistres në Komision.

Komisioni parlamentar i Integrimit miratoi dje, pas debateve, kalimin e varësisë së Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nga Këshilli i Ministrave te Kryeministri. Projektligji është miratuar vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita, ashtu siç votoi kundër kalimit të INSTAT-it dhe Prokurimeve Publike në varësi të kreut të ekzekutivit, ka shprehur të njëjtin qëndrim kundërshtues. Drejtori i DSIK, Ramadan Çaço, theksoi se projektligji është i domosdoshëm për të rregulluar handikapin ligjor që ka pasur ndër vite, duke e lënë këtë institucion në varësi të Këshillit të Ministrave. Ky ligj vjen vetëm për të sjellë ndryshimin e varësisë të DSIK, sepse realisht ky institucion që nga krijimi në vitin 2001 është varur nga Kryeministri për vetë specifikën që ka, dhe të gjitha detyrimet i merr nga Kryeministri dhe, sipas ligjit, drejtori i DSIKS informon jo më pak se një herë në gjashtë muaj Kryeministrin, theksoi përfaqësuesi i DSIK-së.
Debati
Përfaqësuesit e opozitës e kanë cilësuar si jo normal përqendrimin e Informacioneve të Klasifikuara në duart e Kryeministrit Berisha. Kalimi i varësisë nga një organ kolegjial që është Këshilli i Ministrave në varësinë direkte të Kryeministrit, po bëhet e përjavshme tashmë, kur ne kemi kundërshtuar INSTAT-in dhe Prokurimet Publike, sot na sillni dhe kalimin e DSIKS. Nuk e kuptoj se për çfarë i do Kryeministri të gjitha këto institucione në varësinë e tij? Shpresoj të mos na sillni kërkesa për kalimin e institucioneve të tjera në varësinë e Kryeministrit javën që vjen me këto teknika që nuk ekzistojnë, theksoi deputeti i PS, Taulant Balla. Mbledhja e Komisionit është shoqëruar me tone të larta midis deputetes Arenca Trashani dhe Taulant Ballës, për shkak të deklaratave me karakter politik. Nënkryetarja e Komisionit, Mesila Dodaj, pohoi se Informacioni i Klasifikuar që nga viti 2001 është administruar nga Kryeministri. Ndërkaq, mbledhja e Komisionit është shoqëruar me batuta dhe ironi midis anëtarëve. Për deputetin Rrahim Çota, Kryeministri duhet të jetë në dijeni të gjithçkaje, sepse është i pari i vendit.

Debatet në Komisionin e Integrimit
Ramadan Çaço drejtor i DSIK:
Për ne, informacion i klasifikuar nuk është ai informacion që rri i mbyllur në kasafortë dhe që nuk administrohet. Për ne, informacioni duhet të rrjedhë nëpër kanale dhe në individë të certifikuar dhe nuk e ndajmë në konsumator pozite apo opozite.
Taulant Balla: Vota jonë si opozitë është kundër për këtë projektligj, sepse jemi kundër përqendrimit të institucioneve në varësi të Kryeministrit.
Arenca Trashani: E tejkaloi zoti kryetar, nuk do presim sa të bëj deputeti historikun. Kohën, siç e ke ti të çmuar, e kemi të gjithë ne. Ky është një projektligj që është kaluar në 2 komisione përgjegjëse. Dhe deklaratat tuaja nuk kanë lidhje.
Taulant Balla: Qetësohu Arenca, përmbahu! Nuk e cakton ti kohën.
Mesila Dodaj: Në qoftë se duam ta përdorim komisionin si fushë, si mejdan për të bërë betejat politike apo mediatike, unë nuk e shoh të udhës. U shtrua çështja e grumbullimit të pushtetit dhe këtë pushtet Kryeministri e ka pasur dhe i përcaktuar dhe në ligjin përkatës, ku drejtori i DSIK emërohet nga Kryeministri. Është një pushtet që Kryeministri e ka pasur qysh kur është krijuar DSIK dhe në atë kohë keni qenë ju në pushtet.
Rrahim Çota: Për mendimin tim, ky rregullim shton seriozitetin e shtetit. Ne jemi dëshmitarë që të gjithë në Shqipëri gjërat këtu pa u ditur nga i pari, i merr vesh i fundit. Besoj dhe mendoj se Kryeministri i Shqipërisë apo Presidenti duhet të dinë ca gjëra me tepër nga ne. Prandaj kjo nuk bën asgjë të keqe dhe kjo sistemon detyrim, që kush është i pari është gjithnjë i pari.
Ditmir Bushati: Më lejo të të falënderoj, zoti Çota, se në të shumtën e rasteve je anti-stres në raportet që krijohen në Komision.

Rama: Opozita e bëri detyrën
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS se opozita dha një ndihmesë të madhe në miratimin e ligjeve që kërkojnë dhe 12 prioritetet e KE-së.  Dhamë një shembull kuptimplotë jo vetëm të vizionit tonë europian dhe të një ekspertize serioze, por edhe të një sjelljeje politike krejt të ndryshme nga pala tjetër në procesin e ligjbërjes. Kam kënaqësinë të theksoj se qasja jonë dhe kontributi ynë për një proces cilësor janë përshëndetur nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Roli i opozitës është çmuar me nota pozitive prej tyre si një kontribut i vyer dhe, të vetmit që nuk pranojnë ta shohin këtë të vërtetë, është vetëm pala tjetër, ka theksuar Rama.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›