Berisha: Bojkoti s’shpërblehet, opozita të kërkoj ndjesë
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se "me pranimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i dha goditjen e merituar dhe fatale bojkotit, duke dëshmuar se kjo formë nuk kalon në institucionet demokratike". Bojkoti nuk shpërblehet, tha Kryeministri duke i ofruar deputetëve socialistë, bashkëpunim luajal në parlament. Duke lexuar deklaratat e disa socialistëve evropianë në Strasburg, Kryeministri Berisha theksoi se "ata janë shprehur sot kundër bojkotit të Partisë Socialiste". "Atyre që bënë letrën u mbetet si një dëshmi e paprecedentë, tmerrësisht e rëndë, ndaj qëndrimit dhe interesit vetjak shoqëror dhe kombëtar të çdo shqiptari. Kjo që ndodhi tregoi se këtyre zotërinjve nuk u dridhet dora për të kërkuar dënimin e Shqipërisë, vetëm me qëllim, marrjen e karriges", u shpreh Kryeministri Berisha. Kërkesa për sfidim të kredencialeve të delegacionit të Shqipërisë, sipas Kreut të Ekzekutivit është kërkesë "de facto" për përjashtimin e vendit nga forumi evropian. Kryeministri theksoi se "PS përfaqësohej në këtë delegacion me anëtarin e kryesisë, Kastriot Islami, i cili është i vetmi në këtë forcë politike që ka kredencialet".