Berisha, Braçes: Ti dhe ai tjetri, (Edvini) jeni rrugeçërit e rrugës dhe zëdhënësit e krimit

- Berisha, Ruçit: Kryetari jot, strumbullari i korrupsionit
- Opozita, mocion me debat për raportin e KE
- Reagon kryeministri Berisha: Reformat dhe lufta ndaj bandave të krimit, tregues thelbësor në rrugën drejt Evropës
Berisha, Braçes: Ti dhe ai tjetri, (Edvini) jeni rrugeçërit e rrugës dhe zëdhënësit e krimit
Kryeministri akuzoi deputetin Erjon Braçe dhe kryetarin e socialistëve, Edi Rama, për lidhje të tyre me krimin e organizuar. Berisha tha se këta dy njerëz, por edhe të tjerë të identifikuar, pastrojnë nëpër kazino, shumat e përfituara nga trafiku i drogës. “Të marrësh lekët e drogës dhe t’i lash 10 mijë euro të kazino, ju nuk i shpëtoni kësaj. Ju flisni këtu me gjuhën e rrugaçërisë se jeni të droguar”- tha kryeministri. Duke iu kundërpërgjigjur pretendimeve të socialistit Erjon Braçe shefi i ekzekutivit tha se akuzat e bëra nga Daut Kadriovski shigjetojnë eksponentë të Partisë Socialiste dhe se periudha e denoncimit është gjatë kohës që PS ushtronte pushtetin e saj. Kreu i qeverisë garantoi mbrojtje të plotë ndaj ligjvënësve të opozitës, por ata duhet të shkëputen nga loja me krimin. Ai tha se, Sali Berisha do t’i mbrojë, ndërsa ata që i kërcënojnë ndaj klanet “Kadriovski”, “Gina” apo edhe “Gjura”. “Se çfarë lidhjesh keni ju me Kadriovskin, ato do t’i përcaktojë drejtësia. Akuzat janë të plota dhe janë denoncuar gjatë kohës që ju ishit në pushtet. Akuzat i keni direkt prej tij. Lidhja që bëre dhe që bëtë është një lidhje shumë fatkeqe dhe e turpshme. Ke nevojë për mbrojtje dhe qeveria të garanton çfarë do lloj mbrojtje. Përfshirja me klanet e drogës, është e dënueshme dhe e papranueshme. Në një rast na del Kadriovski, në një rast ka qenë Gina, është ekzekutuar brenda rrethimit të Policisë me anti-tank. Nuk është vetëm ky rast, janë disa. Loja me krimin është lojë me integritetin, me moralin dhe me të gjitha. Një ish ministër i imi thotë se e ka gjetur atë (Edi Ramën) me kokainë 3 000 euroshe në zyrë. Më thoni ju nëse del një nga klani Gina dhe ju kërcënon Sali Berisha ka faj? Nëse del klani “Gjura” ndonjë ditë, përsëri Sali Berisha është fajtor? Jo zotërinj, jeni vetë përgjegjës se iu keni shërbyer këtyre. Largohuni prej tyre se po lozni me krimin. Denoncimin e tij, Daut Kadriovski e ka bërë kur ju keni qenë në pushtet dhe për këtë janë dokumentet”- u shpreh kryeministri i vendit Sali Berisha në vijim të debateve në seancën plenare të Kuvendit.
Berisha, Ruçit: Kryetari jot, strumbullari i korrupsionit
"Me lejet e ndërtimit, korrupsioni 20%. BB ka studiuar lejet e ndërtimit në Shqipëri dhe ka gjetur një gjë të veçantë, lejet e ndërtimit të Vlorës dhe Shkodrës, ishin të standardeve të Parisit, ndërsa në Tiranë ishin të standardit më të ulët në botë. Nëse Shqipëria renditet e 15-a në botë për garantimin e investimeve të huaja, harrojeni se ka ardhur në Tiranë një investitor i huaj, sepse nuk e lë mafia. Shkojnë dhe ndërtojnë në Farkë, Kashar dhe Prezë, por jo në Tiranë. Këtij 3 000 euroshit tuaj vetëm jeleku i kushton 8 mijë euro. Klanet kriminale në kështjellën e Pezës përcaktojnë dhe ndajnë lejet e ndërtimit. Ti flet për pavarësi të pushtetit vendor, por ti zotëri a e di që grandi për pushtetin vendor është 14 miliard sot, në një kohë kur ne e gjetëm vetëm 7 miliard. Çfarë ndodh aty, edhe aty është niveli i abuzimit. Çfarë bëri kryetari juaj me 3-fishimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, e ka kthyer në rroga për militantët dhe 99-shat. Por, një gjë është e sigurt, kjo do të zgjidhet më 8 Maj".
Integrimi, Berisha: Rama mbylli opozitën në kuti për të bllokuar vizat
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në Kuvend gjatë mocionit për debat për integrimin e vendit, i kërkuar nga opozita socialiste se, gjatë 5 viteve të fundit, Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm. Duke filluar nga reformat e gjithanshme, lufta pa kompromis kundër fenomeneve si krimi i organizuar dhe korrupsioni, plotësimi i të gjitha kushteve dhe rekomandimeve evropiane, i çelën dritën jeshile një prej vendimeve më të rëndësishme në historinë e shtetit, liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Nga foltorja e kuvendit, Berisha akuzoi Partinë Socialiste se sabotoi çdo reformë për të sabotuar heqjen e vizave. “Opozita tentoi të bllokojë vizat. Ishte gjithçka kundër një interesi jetik të qytetarëve shqiptarë, që ishte liberalizimi i vizave. Ishte një instrument kryesor për të rrëzuar Sali Berishën. Do me çdo kmusht për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Kryetari juaj tentoi të bojkotojë zgjedhjet vetëm dy ditë para zhvillimit të tyre. U jam mirënjohës diplomatëve që e detyruan atë të merrte pjesë në zgjedhjet e përgjithshme. Ua di shumë për nder ju këtu. Edi Rama deklaroi se njoh rezultatin, por s’njoh institucionet. Asnjë politikan i pas Luftës së Dytë Botërore s’e ka bërë këtë hap fals. Kjo është një maoizëm i dalë jashtë çdo standardi. Sigurisht që një pjese e juaja këtu, nuk i interesojnë këto, por unë do bëj punën time. Duke iu referuar procesit të integrimit, kreu i qeverisë ritheksoi se vendi ecën i sigurtë drejt ëndrrës shekullore, integrimit evropian. Për të shembur murin e korrupsionit, tha Berisha u vendosën on-line dhe u dixhitalizua sistemi i taksave, doganave dhe pranimi në universitete. Shqipëria fitoi vendin e dytë në Evropës, pas Gjermanisë, për prokurimet elektronike. “Pra, vizat u hoqën sepse ne shembën murin e korrupsionit, të murit të organizuar, bandat u shpartalluan, bosët e tyre u vendosën para ligjit. Rikthyem besimin te drejtësia shqiptare”- theksoi Berisha.
Topalli: Bojkoti i Kuvendit nga Rama, strategji anti-sistem, shkelmoi interesat e kombit për ato personale
Kuvendi i Shqipërisë po diskuton në këto momente progres- raportin e Komisionit Evropian, për integrimin e vendit, me kërkesë të opozitës socialiste. Mazhoranca deklaroi se opozita ka dalë jashtë kuadrit ligjor dhe kushtetues dhe se s’ka miratuar asnjë prej reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët, për integrimin e Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në diskutimin për mocionin me debat mbi raportin e KE, deklaroi se bojkoti i Kuvendit është strategji anti-sistem. Sipas saj, kryesocialisti Edi Rama është i vetmi shqiptar që nuk e pranon sistemin. Duke akuzuar opozitën shqiptare e cila po dëmton interesat e vendit, Topalli deklaroi se Rama ka bërë përpjekje kundër integrimit dhe vizave.
Akti normativ për pensionet suplementare të ish ushtarakëve në rezervë
Ministri i Financave Ridvan Bode ka akuzuar sot opozitën se po keqinformon ish-ushtarakët në lidhje me aktin normativ. Duke folur në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet akti normatikv ministri Bode theksoi se opozita kërkon të përfitojë politikisht duke keqpërdorur ish-ushtarakët pasi sipas tij akti që ka ofruar mazhoranca është një përmirësim ligjor. “Ju po mbroni një absurd. Ky është një akt ligjor për drejtësi shoqërore”- theksoi Bode duke shtuar se ky ndryshim prek vetëm ata ish ushtarakë që kanë dalë në pension të parakohshëm. “Nuk është fjala për pensionet e ish ushtarakëve, ata janë tek diku tek 30 mijë. Bëhet fjalë për 7400 ish ushtarakë që kanë dalë në pension të parakohshëm”- theksoi Bode. Ministri i Financave mbrojti aktin normativ dhe ftoi deputetët të votojnë. Sipas tij, ky akt nuk prek pensionet e të gjithë ushtarakëve, apo policëve por vetëm një kategorie ish ushtarakësh të cilët kanë dalë në pension të parakohshëm. Ai akuzoi PS-në se për 8 vjet në qeveri nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë sociale dhe kërkon të përfitojë politikisht duke keqinformuar. “Nuk përputhet me të vërtetën e pensioneve të ushtarakëve dhe të vërtetën e pensioneve në tërësi. Nuk është fjala për pensionet e ish ushtarakëve apo ish policëve. Ata janë diku te 30 mijë, por bëhet fjalë për 7400 ish ushtarakë të dalë në pension në mënyrë të parakohshme. Të gjithë ata të rinj e pleq që kishit nxjerrë para parlamentit nuk kanë të bëjnë me aktin normativ. I keni gënjyer, i keni mashtruar”- nënvizoi Bode.
Seanca
Kuvendi diskutoi në seancën plenare aktin normativ “Për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve të të gjitha kategorive”. Edhe pse debatet u shoqëruan nga akuza dhe kundër akuza mes të dyja palëve politike, mazhoranca miratoi ligjin, vendimi i të cilit prek ish ushtarakët e dalë para kohe në pension.
Kuvendi pritet të miratojë relacionin e PD-së për komisionin hetimor
Kuvendi pritet të diskutojë sot në seancën e fundit, për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Seanca parlamentare pritet të jetë e gjatë pasi në rend të ditës do të jenë dhe dy cështje të tjera të rëndësishme: Mocioni me debat për raportin e Komisionit Evropian e thirrur nga deputetët PS dhe akti normativ për pensionet e ushtarakëve. Opozita u ka premtuar ushtarakëve se do të jetë në krah të tyre dhe do ta kundërshtojë këtë akt, për të cilin shoqata kombëtare ka shprehur vërejtje dhe e ka cilësuar antikushtetuese.
Albana Vokshi: Incidenti në kufi, pres vendimet e institucioneve
Deputetja demokrate Albana Vokshi shpjegon në parlament heshtjen për incidentin me policët kosovarë në kufirin me Kosovën. “Kam heshtur e nuk kam folur sepse jam me origjinë nga Kosova. Kam heshtur për shkak të situatës kritike delikate në Kosovë dhe pres vendimet e institucioneve. Pas dy vendimeve të turpshme, Gjykata e Lartë ka gjetur dhe regjistruar 8 shkelje ndaj meje. Policia ka hetuar shkeljet që më janë bërë. Shumë shpejt do dalë në dritë ajo që kam bërë”- tha Vokshi
Nishani, Cukos: Unë komunist? Të kanë gënjyer dhe gënjen
Deputeti socialist Arben Cuko, ish- ushtarak, deklaroi se ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani ka qenë komunistët. “Nga 300 veta ushtarakë që ka qenë kursi tre vetë që kanë qenë komunist, një ndër ato tre ke qenë ti”. Nishani replikën: Nuk kam qenë komunist dhe nuk jam bërë ndonjëherë. Atëherë nuk kisha aftësi për të bërë karrierë.. sepse bekgraundi i familjes time nuk lejonte që unë të bëhesha komunist. Të kanë gënjyer me mesazh dhe gënjeve”. Deputeti socialist Pirro Lutaj akuzoi qeverinë se nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. “ Ish të përndjekurit, ish pronarët, të gjitha shtresat janë në rrugë duke protestuar ligjet dhe aktet normative që keni votuar vetë”. Ai tha se ky akt normativ “antidemokratik” do shfuqizohet me ardhjen e opozitës në qeveri. Në replikë ministri i Drejtesise Bujar Nishani tha se këto shtresa shoqërore janë në qendër të vëmendjes së politikës qeverisëse. “Vetëm në 5 vitet e fundit për shtresën e ish të përndjekurve politikë janë miratuar dhe vënë në funksionin 250 mln dollarë, 30 mln u janë shpërndarë familjeve të tyre.”- tha Nishani. Sipas tij kjo ndodhi “vetëm pas 8 vitesh qeverisjes socialiste të cilët nuk kujtuan asnjë ditë të vetme për këtë kategori shoqërore. Mbështetje i është dhënë dhe shtresave të ish pronarëve”.
...