E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, Lohan: Tjetër goditje të fortë krimit ekonomik



KE-ja këshillon që doganat dhe institucionet shtetërore duhet të forcojnë luftën ndaj krimit financiar, si dhe pastrimit të parasë. Mesazhi u është dhënë autoriteteve shqiptare nga Ambasadori i Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, në kuadër të binjakëzimit të zyrës shqiptare dhe asaj gjermane të parandalimit të pastrimit të parave. Prej dy vjetësh, specialistë shqiptarë dhe gjermanë asistojnë këtë projekt, që ka sy synim parandalimin dhe goditjen e krimit financiar. “Lufta kundër kësaj kërkon metoda më të mira dhe lidhje më të forta me Perëndimin, ku eksperienca jonë në Perëndim t’i kalojë edhe shqiptarëve. Duhet t’i dërgojmë një mesazh të qartë organizatave kriminale, ne jemi këtu dhe do t’ju luftojmë. Në luftën kundër pastrimit të parasë dhe krimit financiar duhet implementuar një strategji e re, ku çdo rast t’i kalohet gjykatës për gjykim”, - u shpreh z. Lohan. Për Prokurorinë mbetet emergjente përgatitja e hartimi i një drafti për hetimin e krimit financiar. Sipas drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, Artur Selmani, rastet e krimit financiar kanë pasur një rritje për arsye të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shkëmbimit tregtar. Shefi i Zyrës Federale gjermane, Peter Vowe, u shpreh se zbatimi i këtij projekti ka disa efekte pozitive, ku ndër më kryesorët ai renditi përvojën e ballafaqimit të praktikave mbi bazën e të cilave është ndërtuar edhe strategjia e luftës ndaj krimit financiar. Që prej vitit 2007, Shqipëria është përfshirë në projektin e binjakëzimit me Zyrën Federale Gjermane, ku përfitues janë tatimet, doganat e prokuroria. Konferenca është zhvilluar në qytetin bregdetar të Durrësit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›