E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Brenda vitit tenderi për Unazën e Madhe

Deklarata është bërë nga kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Berisha tha se "unaza e madhe e Tiranës përbën një nga domosdoshmëritë më të mëdha infrastrukturore të vendit".

“Tirana është një nga qytetet me sipërfaqe rrugore më të vogël në Europë dhe në botë". Kryeministri informoi se "nëse standardi urbanistik për qytetin është mbi 30 për qind sipërfaqe rrugore, kryeqyteti i vendit ka gjithsej 14 për qind sipërfaqe rrugore, gjë që sjell vështirësi të jashtëzakonshme me rritjen e trafikut", tha kryeministri para anëtarëve të kabinetit.

Sipas tij "gjatë këtyre muajve, kompani ndër më seriozet kanë treguar interes të madh për të marrë pjesë në ndërtimin e krahut veriperëndimor dhe perëndimor të unazës së Tiranës". Duke e konsideruar ndërtimin e uanzës së madhe si jetike për kryeqytetin, Berisha u shpreh se "në 2 vitet e ardhshme parashikohet të përfundojë rruga e Arbrit, e cila do të sjellë një trafik të paparashikueshëm në kryeqytet".

 "Ashtu siç ndodhi me trafikun që solli ndërtimi i Korridorit të Kombit, edhe ndërtimi i Rrugës së Arbrit do të sjellë një trafik të paparshikueshëm që kësaj radhe bie direkt në Tiranë", tha Kryeministri Berisha.

Duke kërkuar përgatitjen sa më shpejtë të tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e kësaj unaze, Kreu i ekzekutivit u shpreh se "në këtë tender duhet të përcaktohen si përparësi madhore 2 segmente nevralgjike të kësaj unaze".

"Unaza mund të shkoj edhe mbi 30 km dhe po të kemi parasysh se do të jetë me 8 korsi, kjo është një vepër shumë e madhe. 2 janë segmentet më nevralgjike në të cilat duhet të fillojnë më shpejt punimet: segmenti Ura e Brarit-Kthesa e Kamzës ose Ura e Limuthit, pasi nëse kalohet nga Ura e Limuthit, qyteti i Kamzës përfundimisht shmang çdo trafik kombëtar dhe ndërkombëtar.

Segmenti tjetër është trajetkorja që merr unaza në krahun e Saukut", tha Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se "do të kërkohet bashkëpunimi me të gjitha qeveritë vendore, me qeverinë vendore të Farkës, të Dajtit, të Paskuqanit, të Kamzës dhe të Tiranës".

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›