E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brace: Berisha s'ka dënuar ende ngjarjen e Gërdecit

 

Socialistët i kërkojnë Topallit, arsyet se pse Berisha nuk përgjigjet me shkrim për tragjedinë e 15 Marsit

TIRANË- Partia Socialiste nuk heq dorë nga kërkesa e saj, për të pasur një raport me shkrim nga kryeministri Sali Berisha lidhur me shkaqet dhe pasojat që shoqëruan shpërthimin e 15 Marsit në Gërdec. Grupi parlamentar socialist i ka kërkuar edhe njëherë kryeparlamentares Jozefina Topalli që të zbatojë rregulloren dhe të kërkojë zyrtarisht shpjegime nga Kryeministri, se përse nuk i është përgjigjur kërkesës me shkrim që ka paraqitur opozita për këtë çështje. Numri dy i parlamentarëve socialistë, Erion Braçe, në emër të grupit ka ngritur edhe një herë shqetësimin e grupit për neglizhencën e Kryeministrit për t'iu përgjigjur interesit të deputetëve. "Është i patolerueshëm fakti që Kryeministri vijon të injorojë kërkesën e ligjshme të grupit parlamentar socialist, për të raportuar me shkrim në lidhje me krimin shtetëror të Gërdecit. Do të ishte në nderin e tij, që me anë të këtij raporti apo me interpelance, t'u thoshte gjithë shqiptarëve se ai distancohet nga ky krim. Kjo lind dhe si një detyrim moral i tij, pasi edhe pse kanë kaluar gati dy muaj nga ajo ngjarje, ende Kryeministri nuk e ka dënuar krimin e ndodhur atje", - u shpreh nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe. Gjithashtu ai ka kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit, shpjegime edhe në lidhje me interpelancat e tjera të pazhvilluara me kryeministrin, siç është edhe ajo për Raport-Progresin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Sipas Braçes, pavarësisht se kërkesa për këtë interpelancë është bërë që në dhjetor të vitit të shkuar, ende Kryeministri nuk ka vendosur që të përgjigjet. "Kryeministri ka më shumë se disa muaj që nuk i përgjigjet kërkesave të deputetëve për interpelanca. Kjo, natyrisht, është edhe përgjegjësi e jotja si Kryetare e Kuvendit", - u shpreh Braçe. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila është shprehur se Kryeministri nuk mund t'i përgjigjet të gjitha kërkesave për interpelancë që mund të bëjnë deputetët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›