E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Decentralizimi kyç për pushtetin vendor

 Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë dhe dobinë e vendosjes së një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet dy vendeve në fushën e qeverisjes vendore.

Ai shprehu bindjen se qeveritarët vendore të të dy vendeve mund të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe t’i zbatojnë ato me sukses në komunat respektive, në interesin më të mirë të komuniteteve që ata drejtojnë.

Në bashkëbisedim me ta, Kryeministri u ndal në disa nga reformat themelore në forcimin e kapaciteteve dhe kompetencave të pushtetit lokal, duke theksuar se qeveria ka rritur 4 deri në 5 herë financimin për qeveritë vendore dhe është e gatshme të  mbështesë me financime projektet e qeverisë vendore. Modeli i hartimit të projekteve nga qeveritë vendore, mbështetja me financime nga qeveria qendrore dhe zbatimi i tyre nga pushteti vendor, theksoi Kryeministri, funksionon në mënyrë të shkëlqyer. “Procesi i decentralizimit është një reformë kyçe për fuqizimin e pushtetit vendor, rritjen e autonomisë së tij, si një kusht  themelor për demokracinë dhe konsolidimin e saj. Është koha e një decentralizimi të thelle fiskal, për të cilën qeveria po shqyrton format më të mira”, u shpreh ai.

Duke u ndalur në disa nga reformat, të cilat kanë rezultuar të suksesshme, si  One Stop Shop për regjistrimin bizneseve, lejeve dhe licencave, për lehtësimin e burokracisë administrative dhe rritjen e transparencës, Kryeministri tha se është shumë pozitive që këto modele po ndiqen edhe nga pushteti vendor. “Pushteti vendor po përpiqet gjithashtu të krijojë sportelin unik të shërbimit të qytetareve, ku qytetari të gjeje të gjitha shërbimet që i nevojiten dhe shpresoj që gradualisht të fillojë të funksionojë në Shqipëri ky sportel fale teknologjisë dixhitale”.

Delegacioni është i përbërë nga 32 vetë, anëtarë, kryetarë dhe nënkryetarë komunash, të cilët vijnë në Shqipëri në kuadër të një programi në fushën e qeverisjes lokale, nga Instituti për Qeverisje Lokale në Kosovë./Start/

                                                                                             2012-05-10 15:20
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›