Berisha-Tsacheva: Mbështesim fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion të Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, të kryesuar nga Kryetarja e Asamblesë, Znj. Tsetska Tsacheva. Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e zonjës Tsacheva në vendin tonë, si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, të cilat bazohen në një traditë historike miqësie e bashkëpunimi të dy popujve e kombeve.
Në takim u ripohuan niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve politike midis të dy vendeve e qeverive dhe i ritheksua vullneti dhe angazhimi i palëve për të zgjeruar dhe thelluar edhe me tej bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjelle për te dy vendet dhe qytetarët e tyre, por edhe për te vijuar traditën shume te mire te bashkëpunimit ne kuadrin shumëpalësh e atë rajonal dhe ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, u ripohua angazhimi për të kompletuar të gjithë kuadrin ligjor të nevojshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat, ndërkohe që zonja Tsacheva vlerësoi klimën shumë tërheqëse që qeveria shqiptare ka krijuar në Shqipëri për sa i përket zhvillimit të investimeve të huaja, duke siguruar që ajo dhe deputetët e parlamentit bullgarë do të japin kontributin e tyre në nxitjen e investitorëve bullgarë për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thelle zonjës Tsacheva për mbështetjen qe Bullgaria i dha Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe vijon ti japë për hapat e mëtejshme te integrimit ne BE.
Zonja Tsacheva e siguroi Kryeministrin Berisha se Bullgaria mike do të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në përpjekjet e saj dhe hapat e mëtejshme të anëtarësimit sa më të shpejtë në BE. Në këtë kontekst, zonja Tsacheva. dhe anëtaret e tjerë të delegacionit, deputete ne parlamentin bullgar vlerësuan ndryshimet e jashtëzakonshme qe kanë ndodhur ne Shqipëri gjatë kësaj periudhe nen drejtimin e kryeministrit Berisha, duke i shprehur atij përgëzimet me te sinqerta për arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, gjatë këtyre viteve.
Kryeministri Berisha e njohu zonjën Tsacheva me reformat e implementuara si dhe sukseset e arritura nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe në fushën ekonomike, në fushën e energjisë, turizmit, arsimit, sistemit shëndetësor, arritjet në fushën e reformave fiskale, reduktimit te shpenzimeve burokratike, të ndërtimit te infrastrukturave te rëndësishme, krijimit të klimës më të favorshme për biznes e investime, etj,
Duke u ndalur në faktin që ky është një vit jashtëzakonisht i veçantë për shqiptarët, të cilët festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ti përcjellë kryeministrit bullgar dhe mikut të tij Boyko Borissov ftesën për ta pritur në Tiranë, si mik i madh dhe i shquar i kombit shqiptar.
Në takim u vlerësua angazhimi dhe vullneti i të dy vendeve për të vijuar dhe intensifikuar bashkëpunimin edhe ne kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe u ritheksua rëndësia dhe nevoja imediate që ky rajon të përfshihet në projektet e infrastrukturave të rëndësishme evropiane siç është Korridori 8, por edhe i infrastrukturave të tjera, të cilat do ti japin një zhvillim ekonomisë së vendeve te rajonit.
Kryeministri Berisha i shprehu zonjës mirënjohjen me te thellë për kontributin që Bullgaria mike jep me qëndrimet e saj në shërbim të konsolidimit të paqes, stabilitetit e miqësisë në rajon.
Duke u ndalur edhe në zhvillimet aktuale politike, zonja Tsacheva vlerësoi se zgjedhja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ne përputhje te plote me Kushtetutën e vendit do te përbënte një indikacion tjetër shume të rendesishëm per BE dhe një sinjal shumë pozitiv edhe për bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me BE, si një vend synon të marrë së shpejti statusin e vendit kandidat.