Berisha: Deklarimi i fesë dhe i etnisë ska pasoja negative

Kreu i qeverisë thotë se shqiptarët kanë një identitet të konsoliduar dhe do të tregohen korrektë me deklarimin.
“Në çerem apo Valbonë nuk mund të dalin me origjinë greke”
Kreshnik KUçAJ
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje procesin e regjistrimit të popullsisë si një proces të domosdoshëm, ndërsa shtoi se nuk do të ketë asnjë problem përsa i përket deklarimit të përkatësisë etnike dhe fetare. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha hodhi poshtë shqetësimet se mund të ketë parregullsi në proces, edhe pse pranoi se kjo i mbetet vetë ndërgjegjes së qytetarëve shqiptarë. Berisha tha se në Shqipëri ka pasur gjithnjë harmoni fetare dhe përqindjet e përkatësisë fetare që do të rezultojnë pas regjistrimit, nuk do të krijojnë konflikte fetare në vend. “Shqiptarët edhe kur i kanë regjistruar të tjerët ,edhe kur nuk kanë pasur regjistrim janë një komb unik, për të cilin identiteti është më i lashtë, mesa duket, sesa vetë fetë dhe besimet fetare. Në këtë kontekst, të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron. Dua të shtoj se, nëse ndokush nuk do të dojë të deklarojë besimin e tij, le të mos e bëjë, si dhe ai që ndihet ateist, le ta deklarojë që është ateist. Kjo është një shoqëri e lirë. Sigurisht ka edhe ateistë”, tha Berisha. Duke u rikthyer në histori, Berisha dha disa shembuj të harmonisë fetare, duke u përpjekur të argumentojë se për shqiptarët ka qenë më shumë i rëndësishëm kombi dhe identiteti, sesa besimi fetar.
Deklarimi i etnisë
Për sa i takon deklarimit të përkatësive etnike, kryeministri u shpreh se në traditën më të mirë të regjistrimeve në këtë vend, ajo ka qenë një normë konstante. Sipas tij, shqiptarët kudo që janë, nuk kanë dhe nuk mund të kenë as dhe një kompleks dhe asnjë lëndim nga deklarimi i etnisë. Megjithatë, Berisha tha përciptas, se për raste ekstreme do të ketë një verifikim të deklarimit. Berisha tha se në vendlindjen e tij, në Tropojë, nuk mund të ketë banorë me origjinë greke. “është absolutisht për mua jashtë çdo lloj koncepti, sepse unë, si qytetar i këtij vendi, do të lëndohem për arsye se një qytetar tjetër do të deklarojë kombësinë e tij greke, arumune, sllave apo së cilës i përket. Duhet që shumica të jetë shumë e vetëdijshme dhe e përmbajtur, flas këtu për shumicën e shoqërisë, e cila duhet të ketë vetëdije të thellë dhe nuk duhet të bëjë deklarata lënduese për minoritetet dhe grupet etnike. Dikush më thotë se do të dalë në çerem apo Valbonë dikush me origjinë greke. Unë them se nuk mund të dalë aty. Ligjvënësi përcakton rregullat sesi do të jetë deklarimi”, tha Berisha. Kreu i qeverisë pranoi se ky lloj regjistrimi që po bëhet në Shqipëri, nuk bëhet në çdo vend të botës, megjithatë shtoi se vendit tonë i takon që ta bëjë atë. Berisha tha se kjo nuk do të shënohet në pasaporta, për shkak se ka kundërshti të forta globale, që e cilësojnë këtë si një diskriminim.
Klubi Kombëtar: Vetëdeklarimi rrezikon seriozisht interesat kombëtare
Klubi Kombëtar është i njohur përmes mediave për planin qeveritar për regjistrimin e popullsisë, në pyetësorin e të cilit përfshihen edhe pyetje për vetëdeklarimin e etnisë dhe fesë së qytetarëve. Klubi Kombëtar tërheq vëmendjen e qytetarëve të Shqipërisë se, nëse në regjistrimin, i cili bazohet në vetëdeklarim, përfshihen pyetje të tilla, kjo gjë do të përbëjë një veprim të qëllimshëm dhe tendencioz, që do të rrezikojë seriozisht interesat kombëtare shqiptare. Gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri ka ndodhur dukuria e shëmtuar e ndërrimit të kombësisë dhe i fesë së shumë shqiptarëve. Në shumicën dërrmuese të rasteve nuk kemi të bëjmë aspak me ushtrim të lirë të vullnetit të qytetarëve, por veprime të tilla janë kryer nën trysninë e shtrëngesës ekonomike, kufizimeve të lëvizjes së lirë jashtë vendit, apo për përfitime afatshkurtra materiale. Një rol të dorës së parë për ndërrimin e kombësisë së fesë dhe kombësisë së shumë qytetarëve shqiptarë ka luajtur diskriminimi dhe përndjekja sistematike që kanë pësuar emigrantët ekonomikë shqiptarë në Greqi për shumë vite me radhë, si edhe praktikat e dhënies së të ashtuquajturës “karta të homogjenitetit” nga konsullatat greke në jug të Shqipërisë. Sidomos për sa i përket ndërrimit të kombësisë, ka pasur raste të falsifikimit të dokumenteve zyrtare nga ana e qytetarëve dhe bashkëpunim korruptiv të organeve të shtetit shqiptar, zyrave të gjendjes civile dhe gjykatave në këto veprime të paligjshme dhe të ulëta moralisht. Klubi Kombëtar ka ngritur me kohë shqetësimin për praktikat korruptive të organeve shtetërore shqiptare, që kanë marrë pjesë në tjetërsimin e kombësisë së qytetarëve shqiptarë. Me anë të një peticioni të firmosur nga mijëra shqiptarë, Klubi Kombëtar, në prill 2008, u ka kërkuar organeve më të larta të shtetit shqiptar që të ndërhyjnë për frenimin e kësaj dukurie. Në kohën kur ne prisnim që shteti shqiptar të hidhte hapa në këtë drejtim, vërejmë se po shkohet në drejtimin e kundërt. Regjistrimi me vetëdeklarim i kombësisë së qytetarëve të Shqipërisë do ta legjitimonte procesin e deritanishëm të shkombëtarizimit, që edhe pse i paligjshëm, është lejuar që të ndodhë në Shqipëri. Kush përfiton nga vetëdeklarimi si grekë i shumë qytetarëve shqiptarë që nuk i përkasin pakicës? Padyshim që u intereson interesave greke për kantonizimin e Shqipërisë dhe realizimin e projektit të Korfuzit, për gjoja autonominë e të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Rritja artificiale e numrit të pakicës greke me anë të një regjistrimi të tillë, të nxituar nga shteti shqiptar, do t’i jepte besueshmëri tezës se gjoja shteti shqiptar është shumëkombësh dhe se grekët në Shqipëri duhet të kenë statusin juridik komb-formues, të njëjtë me atë të shqiptarëve. Deklarimi si ortodoksë, krahas kombësisë greke, do t’ia shtonte edhe më peshën një teze të tillë imagjinare dhe shoviniste. Pa përmendur këtu edhe pasojat e dëmshme që do t’i shkaktoheshin bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Pikërisht në prag të liberalizimit të vizave hyrëse në BE për qytetarët shqiptarë dhe në kohën kur vetë Greqia ndodhet në një pozitë të vështirë ekonomike brenda BE, qarqet shoviniste greke, në mos vetë politika shtetërore greke, po shtojnë trysninë mbi qeverinë shqiptare për të përfshirë vetëdeklarimin e kombësisë dhe fesë në këtë regjistrim zyrtar. Nuk ka asnjë standard ndërkombëtar që e detyron shtetin shqiptar për të bërë regjistrimin e kombësisë dhe fesë së qytetarëve pikërisht në këto momente, prandaj qeveria duhet ta rishikojë dhe ta rimendojë seriozisht këtë veprim. Pikërisht në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që institucionet e shteti shqiptar dhe një tufë prej atyre shqiptarëve që para dinjitetit vetjak dhe kombëtar kanë vënë interesa materiale të ngushta dhe përkohshme materiale, të kryejnë një dëmtim të rëndë të pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën janë vetëflijuar breza të tëra dëshmorësh. Secili nga ne ndodhet sot para gjykatës së historisë. Prandaj, Klubi Kombëtar mbështet të gjithë ata qytetarë dhe faktorë shqiptarë që janë deklaruar kundër një veprimi të tillë dhe do të përkrahë pa rezerva nisma qytetare dhe ligjore për mospërfshirjen e vetëdeklarimit të kombësisë dhe fesë në këtë regjistrim, deri në bojkotin e qytetarëve ndaj të gjithë regjistrimit.