Tenderi i helikopterëve, amerikanët ankohen për parregullsi

Procedura me dyer të mbyllura
Kompania amerikane “Sikorsky International Operations” ankohet tek Avokati i Prokurimeve për parregullsi në procedurat e tenderit me vlerë 80 milionë euro, që u fitua nga francezët e “Eurocopter”. Tenderi fillimisht u anulua dhe më pas u rihap, duke shtuar specifikimet teknike
Leonard Bakillari
TIRANë - Tenderi i helikopterëve që Shqipëria do të blejë në kuadër të anëtarësimit në NATO, i fituar nga konsorciumi franko-gjerman “Eurocopter”, pas një lobingu të fortë të francezëve, përfshi këtu edhe takimin Berisha-Sarkozi, është kundërshtuar nga kompania tjetër pjesëmarrëse. Amerikanët e “Sikorsky International Operations”, të cilët ishin konkurrentë me francezët e “Eurocopter” në tenderin me vlerë 11 miliardë lekë të reja, ose 80 milionë euro kanë paraqitur ankesë pranë Avokatit të Prokurimeve, duke pretenduar se gjatë procedurave të zhvillimit të këtij prokurimi ka pasur parregullsi ligjore. Ankesë për këtë çështje i është dërguar edhe Agjencisë së Prokurimeve Publike, si dhe kontraktorit, që në këtë rast është Ministria e Mbrojtjes. Ankesa në fjalë ka mbetur e pashqyrtuar nga dy prej institucioneve, Avokati i Prokurimeve dhe Agjencia e Prokurimit Publik, të cilat në përgjigjen e kthyer argumentojnë se “kjo procedurë prokurimi nuk është zhvilluar në bazë të ligjit për prokurimin publik, por i përket rastit përjashtimor”. Gazeta “Korrieri” kontaktoi edhe me studion ligjore që përfaqëson kompaninë amerikane në Tiranë, e cila tha se për këtë çështje nuk mund të japë asnjë informacion pa marrë më parë miratimin e klientit, pra të kompanisë “Sikorsky International Operations”.
Ankesa
Sipas të dhënave zyrtare të Avokatit të Prokurimeve, bëhet me dije se pranë këtij institucion, më datë 7 dhjetor të vitit të shkuar ka mbërritur një ankesë nga kompania amerikane “Sikorsky International Operations”. Sipas ankesës, që nuk është hetuar nga Avokati i Prokurimeve, për shkak të pengesës ligjore që ka kjo çështje, pretendohet për parregullsi në tenderin me vlerë 11 miliardë lekë, shumë kjo e vënë në dispozicion të prokurimit me objekt “blerje helikopterësh me ngarkesë mesatare shumërolësh”. Pas korrespondencës me Ministrinë e Mbrojtjes, e cila në rastin konkret është edhe autoriteti kontraktues, Avokati i Prokurimeve i përgjigjet kompanisë, duke thënë se “nga informacioni i dërguar nga Ministria e Mbrojtjes, rezulton se kjo procedurë prokurimi nuk është zhvilluar në bazë të ligjit për prokurimin publik, por i përket rastit përjashtimor parashikuar në nenin 5 të ligjit nr. 9643, datë 20 nëntor 2006, “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar”. E njëjta përgjigje mësohet se i është kthyer kompanisë amerikane edhe nga Agjencia e Prokurimit Publik, e cila ka argumentuar se, për shkak se kjo çështje i përket rastit përjashtimor, nuk mund të kryejë asnjë verifikim. I vetmi institucion që i ka kthyer një përgjigje të argumentuar kompanisë amerikane ka qenë Ministria e Mbrojtjes, ndërsa përmbajtja e përgjigjes mbetet e panjohur.
Tenderi
Sipas burimeve jozyrtare, mësohet se tenderi i lakuar prej kohësh dhe i vënë në qendër të vëmendjes nga disa qeveri të huaja, për shkak të vlerës së tij, është zhvilluar dy herë, por në të dy rastet me dyer të mbyllura. Për shkak të natyrës së veçantë që kishte ky prokurim, pasi bëhet fjalë për një sektor strategjik, siç është blerja e armatimeve, prokurimi është zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa nuk është publikuar në Buletinin Zyrtar të Agjencisë së Prokurimit Publik. Për arsye ende të paqarta, fillimisht tenderi është anuluar, ndërsa procedura në fjalë është rihapur sërish, por këtë radhë duke shtuar specifikimet teknike. Në tender kanë qenë pjesëmarrësve vetëm dy kompanitë, ajo amerikane “Sikorsky International Operations” dhe konsorciumi franko-gjerman “Eurocopter”. Në fshehtësi të plotë, duke e justifikuar me natyrën e veçantë dhe përjashtimore që ka kjo çështje, e cila konsiderohet strategjike, autoriteti kontraktues, më 30 tetor, ka shpallur fitues konsorciumin franko-gjerman, i zyrtarizuar edhe nga kryeministri Berisha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me sekretari francez për çështjet Europiane, Pierr Lëlush, i cili vizitoi Shqipërinë më 11 dhjetor të vitit të shkuar. Gjatë vizitës disi të papritur, Lëlush i bëri thirrje opozitës të njohë rezultatin e zgjedhjeve.
Diplomacia ekonomike
Sekretari francez në Tiranë:
Pranoni rezultatet zgjedhore
Një zyrtar i qeverisë së Francës bëri thirrje dje, që t'i jepet fund bojkotit nga opozita dhe tha se rezultati i zgjedhjeve duhet pranuar. Deklaratën e bëri sekretari francez për çështjet Europiane, Pierr Lëlush (Pierre Lellouche), pas takimit me kryeministrin Sali Berisha. Por kryetari opozitar, Edi Rama, tha se është i vendosur në rrugën, sipas tij, për rikthimin e demokracisë në Shqipëri. Lëlush tha se vërente paqartësi në qëndrimin e opozitës. Ai theksoi që opozita t’i japë fund bojkotit, në mënyrë që jeta parlamentare t’i kthehet normalitetit. “Principi bazë i demokracisë është që, kur procesi zgjedhor përfundon dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon zgjedhjet, rezultati duhet të pranohet. Kështu fituesi merr pushtetin dhe pala tjetër mbetet në opozitë. Tjetër parim bazë është edhe pranimi i ndryshimit të pushteteve, por nëse kjo nuk ndodh, nuk mund të flitet më për demokraci, por për regjim totalitar. Demokracia mund të mos jetë perfekte, por kur ka kundërshtime rregullohet nga drejtësia e dialogu politik. Do të jem shumë i lumtur nëse shumë shpejt jeta parlamentare në Shqipëri do të jetë normale dhe t’i jepet fund situatës anormale të bojkotit të Kuvendit”, - tha ai. Lëlush më pas u citua të thoshte pas takimit me kryeopozitarin Rama, se “nuk mund të shpjegojë qëndrimin për zgjedhjet”, pasi e kishte kërkuar vetë “takimin me zotin Rama, për të kuptuar pozicionin e tij”. “Dhe ai më tha se e kishte pranuar certifikimin e zgjedhjeve. Por nëse kemi pranuar certifikimin e zgjedhjeve, nuk e kuptoj përse nuk mundemi ne pra, edhe në qoftë se kemi mosmarrëveshje. E rëndësishme është që në demokraci të flasim me njëri-tjetrin, të ketë dialog dhe parlamenti është vendi i këtij dialogu”, - tha sekretari francez. Sakaq, Rama theksoi me qetësi, se “ne jemi shumë të vetëdijshëm, shumë të bindur dhe shumë të vendosur në rrugën që kemi zgjedhur, për të garantuar liri dhe demokraci në këtë vend për të gjithë dhe jo vetëm për një familje”. Kurse kryeministri, pas takimit, tha se ishte i hapur për bashkëpunim me opozitën. “I kam ofruar të hartojë të gjithë amendamentet e sugjeruar nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme dhe se çdo problem, dokument, fakt që ka për zgjedhjet e shkuara, le t'i paraqesë para prokurorisë dhe organeve të drejtësisë. Ajo çka unë nuk imagjinoj dot dhe nuk imagjinon asnjë qytetar i lirë në Europë apo në botë, është që një politikan të marrë në duart e tyre vendimet gjyqësore”, - tha Berisha.
“L’Express” dhe “Rojters”: Takimi Berisha-Sarkozi për helikopterët
Qeveria zgjedh francezen “Eurocopter” për 17 helikopterët
Qeveria Shqiptare ka përzgjedhur konsorciumin franko-gjerman “Eurocopter” për blerjen e 17 helikopterëve të rinj për Ministrinë e Mbrojtjes. Ky fakt u pranua zyrtarisht nga kryeministri Sali Berisha, në konferencën e përbashkët me sekretarin e Shtetit francez për çështjet Europiane, Pierr Lëlush, më datë 11 dhjetor të vitit të shkuar. “është e vërtetë që është bërë një tender në përputhje më të gjithë rregullat dhe ligjet e Shqipërisë dhe këtë tender e ka fituar një konsorcium franko-gjerman, në mos gaboj, që është një ndër konsorciumet më të mëdhenj në Europë dhe në botë që ndërton “Air Bus Eurocopter”. Kjo është e vërtetë”, tha Berisha. Ndërkohë, burime qeveritare saktësojnë se pas kryerjes së tenderit, helikopterët e kushtueshëm do të fillojnë të vijnë në Shqipëri rreth vitit 2011. Në këtë vit pritet që të vijnë 5 helikopterët e parë, për të vijuar më pas çdo 6 muaj me të tjerët, derisa të plotësohet numri i parashikuar, pra 17 të tillë. Ndërkohë, burimet qeveritare nuk përjashtojnë mundësinë që ky numër të jetë edhe më i madh në vitet e ardhshme. Në garë për tenderin e 17 helikopterëve ishte edhe një kompani amerikane, por Qeveria Shqiptare ka zgjedhur, ashtu siç ishte parashikuar nga mediat franceze, pikërisht kompaninë “Eurocopter”. Një vizitë e kryeministrit Sali Berisha në muajin prill të këtij viti në Francë, ku u takua me presidenti francez Nikola Sarkozi, sipas gazetës franceze “L’Express”, por edhe sipas agjencisë “Rojters”, kishte si diskutim primar pikërisht blerjen e këtyre helikopterëve, vlera e të cilëve arrin deri në 200 milionë euro. Sipas “L’Express”, pas takimit Sarkozi-Berisha, pallati presidencial francez shprehu mbështetjen e fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, në një kohë që kriza ekonomike kishte vënë shumë shtete në dyshim për çështjen e zgjerimit të BE-së. Më tej, gazeta në fjalë tha se presidenti francez, përveç mbështetjes për integrimin, ka vlerësuar edhe rëndësinë e projektit të blerjes së 17 helikopterëve ushtarakë “Eurocopter” nga Shqipëria. Vetë kryeministri Sali Berisha pasi u kthye nga vizita në Francë, akuzoi liderin e opozitës, Edi Rama, për ndikim në mediat franceze për publikimin e këtij lajmi. Berisha e cilësoi lajmin se Shqipëria “kishte blerë” mbështetjen franceze, si një lajm të fabrikuar, ashtu si ai për vjedhjen e orës së presidentit amerikan Xhorxh Bush.
K. Kuçaj