E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Demonstrata e puçistëve rrënoi imazhin e vendit

Për përtej kësaj, për kreun e qeverisë, ngjarja i ka shkaktuar një dëmtim të madh imazhit të vendit. Sipas tij, opozita kishte bërë plane për të krijuar një qeveri të re, duke përmendur edhe emra që mund të zëvendësonin ministrat aktual.

“Në këtë mënyrë, këta puçistë i kanë bërë vendit në sytë e mbarë botës një dëm shumë të rëndë. Ata listojnë Shqipërinë në vendin ku tentohen grushte shteti dhe i garantoj shqiptarët se kjo është një punë e zezë që dëmton imazhin tonë”, theksoi Berisha para pak momentesh.

“Jam i sigurt se çdo shqiptar por edhe miqtë e Shqipërisë panë një tentativë të shëmtuar dhe kriminale për të përmbysur një qeveri me dhunë. Por panë nga ana tjetër forcën e jashtëzakonshme të ligjit dhe institucioneve shqiptare. Panë se e drejta e qytetarëve shqiptarë për të protestuar në çdo cep të këtij vendi u respektua plotësisht deri në shkallën ku nuk cenohen institucionet. Përpjekja për të marrë këto institucione mori përgjigjen e merituar”, shtoi ai. 

Sipas kryeministrit, vendi ka ligje dhe shtet, të cilat nuk i kalon dot askush, teksa ka shtuar se qeveria do të punojë fort për të rikuperuar dëmin e bërë dhe për të bërë gjithçka që qytetarët shqiptarë të ecin në projektin më të madh për këtë shekull, atë të integrimit evropian.

“Nga ana tjetër kjo mbetet një datë e zezë në historinë kombëtare, kur një grup puçistësh bënë gjithçka për të përmbysur një qeveri legjitime që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, hoqi vizat për qytetarët shqiptarë një arritje madhore për vendin. 21 janari dëshmoi forcën e ligjit dhe funksionimin e shtetit ligjor në këtë vend, dëshmoi se një pushtet nuk mund të rrëzohet kurrë”, vijoi ai. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-31 11:21
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›