E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Dëmshpërblim për të ekzekutuarit nga sigurimi

Qeveria ka vendosur të dëmshpërblejë edhe të ekzekutuarit nga sigurimi i shtetit gjatë regjimit komunist si dhe ata që u izoluan në spitalet psikiatrike të vendit me gjyqe politike. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se dosjet e plota dhe kartelat e tyre ekzistojnë dhe ka kërkuar nga Ministri i Drejtësisë t`i shtohen me urgjencë listës së përfituesve.

“Dëshiroj të sjellë në vëmendjen tuaj edhe njëherë një problem madhor, problem themelor të shoqërisë shqiptare në këtë 100 vjetor të pavarësisë së vendit. Ky problem është ndarja e shoqërisë nga kalvari i egër 45 vjeçar që përjetuan shqiptarët. Sot ne kemi një vendim të qeverisë për dëmshpërblimin e një kategorie tjetër të ekzekutuarit në hetuesitë e egra të sigurimit të shtetit, por në këto kategori të shtohen të gjithë qytetarët, që u ndrynë për bindje politike në spitalet psikiatrike” tha Berisha.

Sipas kreut të qeverisë, spitalet psikiatrike të Elbasanit dhe Vlorës u përdorën njëkohësisht si burgje për kundërshtarët politikë. “U ndrynë me qindra qytetarë, vetëm se ato shprehën pikëpamjet kundër regjimit. Kjo praktikë ka vazhduar gjatë gjithë komunizmit, është zhvilluar mbi bazën e gjyqeve të caktuara ndaj këtyre qytetarëve” theksoi më tej kryeministri.

Kreu i qeverisë nuk ka lënë pa thumbuar edhe kryetarin e PS-së Edi Rama për mënyrën e komunimit të tij me shqiptarët.  “Të bësh ciu icu me zë krobi sa vetëm i lëndon shqiptarët. Të bësh politik çdo ditë ciu ciu nuk shkon. Çdo njeri është i lirë të zgjedhë mënyrën e tij të komunikimit dhe unë do të vazhdoj të komunikoj direkt me qytetarët” ka theksuar Berisha.

Kryeministri Berisha deklaroi në mbledhjen e qeverisë se kompanitë e shërbimit telefonik ofrojnë tashmë çmime më të ulëta për shqiptarët. Kjo sipas Berishës u arrit pas shqetësimit serioz që shprehu qeveria dy vite më parë.

“Dy vite më parë ne shprehëm shqetësimin serioz për cmimet e larta që përballej çdo qytetar në komunikimet e tij, cmime për të mos i quajtur stratosferike me gjithë uljet që kishin pësuar që nga 2005 deri 2010. Dje enti rregullator i telekomunikacionit dhe postave informoi se sot ata shqiptarët flasin, komunikojnë më shumë se çdo komb tjetër në rajon”, shtoi Berisha.

Shefi i qeverisë u shpreh se qytetarët shqiptarë tashmë flasim me çmime të lira, ndërkohë duke shprehur shqetësim për tarifat e internetit premtoi se nuk do ketë vend në rajon që të ofrojë internet falas për të gjithë.

"Flasim sot me një çmim tjetër dhe në Shqipëri telefonia mobile është rritur në nivelet më të larta që mund të ekzistojë, 184%. Pra çdo shqiptar po shkon drejt dy telefonave për person. Ky është një tjetër kthim në moshën dixhitale, do kenë internet me cmimin më të leverdishme. Qeveria shpreh keqardhje me çmimin që u shitet sot interneti, por me shpejtësi të madhe do bëjë që ata ta blejnë me çmimin më të ulet në Europë, ose ta kenë gratis. Posta shqiptare do të konkretizojë kontraktimi ne sasive të internetit që u nevojitet shqiptarëve dhe tua ofrojë kompanive të tjera”,- theksoi Berisha.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›