E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Bregu-PS: Reformat angazhim i përbashkët

Ministria e integrimit Majlinda Bregu ka kërkuar angazhimin e opozitës për përfundimin e planit të veprimit për plotësimin e 12 kritereve të kërkuara nga Komisioni Europian. Gjatë një takimi me delegacionin për zgjerimin në Bashkimin Europian, ministria Bregu theksoi se plani i veprimit duhe të ketë bashkëautorë edhe opozitën.
 

“Plani i veprimit për qeverinë është konsideruar një instruksion për të sjellë së bashku të gjitha kahet e politikës, të kemi bashkëautorë edhe opopzitën. Ky nuk është një proces që ka nevojë për mendime të ndryshme , ky është një proces që duhet ta nënshkruajmë së bashku, duhet të jetë një material që të jetë i firmosur bashkarisht nga mazhoranca dhe opozita. Reformat janë të përbashkëta dhe mbi të gjitha integrimi nuk është agjendë vetëm e mazhorancës apo e opozitës por është në interes të të gjithë shqiptarëve” ka theksuar Bregu.

Më tej ministrja Bregu theksoi se vendi ka humbur shumë kohë për shkak të bojkotit të opozitës prandaj duhet të rikuperohet koha e humbur. “Shpresojmë që me marrëveshjen e nëntorit të rikuperojmë kohën e humbur prej dy vjetësh, duke i qëndruar angazhimit të përbashkët dhe duke shpresuar që deri në fund të procesit të ketë një angazhim serioz të opozitës” theksoi më tej Bregu.

Nga ana e tij përfaqësuesi i BE, Vasilis Maragos, kërkoi angazhim nga të gjithë për reformat. “Ato janë ndryshime konkrete që ndodhin në punën e përditshme të institucioneve, jemi këtu për t`u mbështetur dhe duhet të jemi rigorozë, se vendet anëtare presin që ne të jemi rigorozë” theksoi ai.

Sipas tij standardet janë të larta dhe BE është gati të jetë e drejtë. “Ne duhet të sigurohemi që ju performoni dhe ky informacion iu dërgohet vendeve anëtare. Zgjerimi i BE është mjet për transformimin e shoqërive që aspirojnë për në BE, plani i veprimit është një bazë e mirë për punën, për ne është baza e monitorimit. Qëllimi i diskutimeve është që të shohim cilat janë problemet e prioriteteve kyce dhe të jemi në kohë për raportin e ardhshëm të progresit me rezultate konkrete” shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›