Berisha: Do barazoj pensionet e fshatit me të qytetit
“Korça, kryeqyteti i Ballkanit për mollën starkinge”
“Edhe fermerët, rol kyç në integrimin e vendit”
Që nga Korça, Kryeministri Sali Berisha u jep siguri të plotë fshatarëve në mbarë vendin se para mbylljes së mandatit qeverisës, do të barazojë pensionet e fshatit me ato të qytetit. Gjatë një vizite të zhvilluar dje në juglindje të Shqipërisë, ku mori pjesë dhe në panairin e agrobiznesit në Korçë, z. Berisha vuri në dukje se pensionet në fshat kanë qenë në vlera qesharake 4 vite më parë. Por tashmë po shkojnë drejt dyfishimit. Ato do të dyfishohen në vitin 2009 dhe do të ecet me shpejtësi drejt nivelimit të plotë me pensionet në qytet”, - deklaroi z. Berisha. Teksa vizitoi ambientet e Panairit Rajonal të Prodhimeve Bujqësore në Qarkun e Korçës, Berisha i garantoi fermerët se qeveria do t`i mbështesë ata që ta shndërrojnë Korçën në kryeqytetin e Ballkanit për mollën e cilësisë më të lartë, mollën starkinge dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të festohet kjo ditë. Madje kreu i qeverisë vlerësoi se edhe fermerët shqiptarë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit. Sipas tij, fermerët kanë shënuar një sukses të madh në këtë drejtim. “Me eliminimin e barrierave doganore eksportet tuaja drejt Evropës janë rritur madje edhe tek vendet me bujqësi të zhvilluar. Kjo do të thotë se ardhmja e këtij sektori është e shkëlqyer”, - u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, Berisha shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për urbanizimin e infrastrukturës në të gjitha fshatrat e vendit. Berisha falënderoi USAD-in, Bankën Botërore, SNV-në dhe çdo institucion tjetër që u ka qëndruar afër fermerëve të Korçës gjatë këtyre viteve në përballimin e vështirësive të mëdha. Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe drejtorja e misionit të USAID-it në Tiranë, znj. Roberta Mahoney, e cila garantoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë ndihmën ndaj fermerëve shqiptarë. “Në eksperiencën time unë jam mbështetëse e vendeve me ekonomi në rritje dhe kjo është shumë e vërtetë për Shqipërinë, e cila ka një mbështetje të madhe tek agrobiznesi. Ndaj Shtetet e Bashkuara kanë financuar për rritjen e konkurrencës së fermerëve nëpërmjet projektit AAC me vlerë 10 milionë dollarë për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave gjatë 5 viteve në vazhdim për fermerët shqiptarë”, - u shpreh znj. Mahoney. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha, evidentoi se fermerët e qarkut të Korçës kanë realizuar prodhimin më të mbarë se kurrë më parë në historinë e këtij qarku. Ai vuri në dukje se “këtë vit ju mund të krenoheni më shumë se kurrë me rezultatet e punës mendjes, djersës dhe mundit tuaj. Ju fermerë të Korçës në traditën familjare punëdashëse keni shkëlqyer më shumë se kushdo tjetër. Sot Korça ka një prodhim bujqësor që nuk e ka njohur kurrë më parë”. Sipas tij, sot fermerët e Korçës me fermat e tyre janë bërë dhe po bëhen gjithnjë e më konkurrues. Këtë vit ju keni mbjellë dru frutorë 20 herë më shumë se në vitin 2005”. Gjatë vizitës atje, Kryeministri shoqërohej nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, drejtues të pushtetit vendor etj.