PD-PS, komision kuvendor për hetimin e pasurive
Hetim pasurive të ligjshme dhe të paligjshme
Pritet pakt PD-PS për ngritjen e komisionit
Lufta antikorrupsion e qeverisë “Berisha” zgjat tentakulat deri në zbardhjen e plotë të pasurive të politikanëve shqiptarë. Kjo, përmes krijimit e një komisioni të posaçëm parlamentar për verifikimin e të gjitha pasurive të politikanëve shqiptarë. Larg tendencës për të dubluar punën e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, ky komision pritet të konkretizohet përmes një marrëveshje dypalëshe mes mazhorancës dhe opozitës. Burime pranë qeverisë dhe grupit parlamentar të PD-së bëjnë të ditur se tre vjet pas lançimit të nismës për reduktimin apo heqjen e imuniteteve, tashmë rruga është e hapur për një komision të posaçëm kuvendor i cili të mund të zbardhte paligjshmërinë e aktiviteteve të politikanëve dhe mënyrën e vënies së pasurive prej tyre. Burimet sqarojnë se heqja e imunitetit të deputetëve do të realizohet pasi kjo bën të mundur edhe kontrollin e aktiviteteve të ligjshme ose të paligjshme të politikanëve. Dhe për këtë mendohet të arrihet një marrëveshje midis pozitës dhe opozitës në Parlament. Kjo gjë duket më se e arritshme, po të merret parasysh fakti se grupet parlamentare në Kuvend kanë rënë dakord për nisjen nga puna të hartimit të draft-amendamenteve për një ndryshim tjetër në Kushtetutë, që lidhet me kufizimin e imunitetit parlamentar. Tashmë është çështje ditësh nisja e procedurave parlamentare për realizimin e ndryshimeve në ligjin themeltar të shtetit, për të cilat Këshilli i Legjislacionit ngarkoi deputetët Ilir Rusmali (PD) dhe Ylli Bufi (PS). E vetmja forcë politike parlamentare e deklaruar kundër këtyre ndryshimeve është PSD, e cila është shprehur kategorikisht kundër amendimit kushtetues, ndërsa LSI-ja do të japë mendim, pasi të njihet me draft-amendamentet. Vullneti politik i shprehur nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS, për kufizim të imuniteteve është një pozicionim pozitiv i politikës, që lidhet me përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të detyrimeve ndërkombëtare në luftën antikorrupsion. Por, ende mbetet e paqartë nëse kufizimi i imuniteteve do të prekë vetëm deputetët, apo edhe gjithë individët, që e gëzojnë këtë mandat sipas Kushtetutës. Ndërsa maxhoranca është shprehur e prerë për kufizimin e të gjitha imuniteteve, se, sipas saj, "personat me imunitet duhet të jenë të barabartë para ligjit, si gjithë shtetasit e tjerë, PS-ja ende nuk ka një qëndrim, nëse ky proces do të arrije deri tek gjyqtarët dhe personat e tjerë, që Kushtetuta i vesh me imunitet. Zhveshjen e zyrtarëve të lartë nga imuniteti e kanë mbështetur dhe ndërkombëtarët në mënyrë të vazhdueshme. Rasti më i fundit është ai i Kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila inkurajoi nismën e Kryeministrit të vendit Sali Berisha për të kufizuar imunitetit e deputetëve, por dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve.