E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo merr rolin e ndërmjetësit për aleancën Rama - Meta



Kreu i PDS-së kërkon bashkim të së majtës

Nuk pozicionohet me asnjërin koalicion

Një nga figurat më të vjetra të së majtës, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka preferuar të bëjë rolin e diplomatit në marrëdhëniet opozitare para se të nxitojë të deklarojë anësinë në njërën anë apo tjetrën të konfliktit mes partive opozitare. Ndërkohë që sa vijnë e shtohen notat e zemëratës mes liderëve Edi Rama dhe Ilir Meta, kreu i Partisë Demokracia Sociale është i vetmi zë që kërkon një bashkim të tyre në perspektivë, sipas tij, si e vetmja rrugë që do të rikthente në pushtet të majtën në zgjedhjet e ardhshme. "Ne mund të shkojmë edhe në zgjedhje me dy koalicione të opozitës, por sigurisht që kjo nuk është zgjidhja më e mirë. Opozita duhet të bashkohet në një front të vetëm për këto zgjedhje, sepse kjo është mënyra e vetme që ajo të rikthehet në pushtet në vitin 2009”, - u shpreh Milo gjatë ditës së djeshme. Në këtë mënyrë ai kërkon që të lihen mënjanë akuzat dhe përplasjet brenda llojit duke e parë madje këtë gjë si të domosdoshme për fatin e opozitës. Kryetari i Demokracisë Sociale ka vlerësimin e tij për këtë ndarje të opozitës duke hedhur një tjetër opsion nga ai që mbrojnë në të vërtetë Rama dhe Meta. Milo mendon se kjo është një luftë për pushtet dhe jo parimore siç e paraqesin dy opozitarët e tjerë dhe shprehet se “lufta për pushtet nuk duhet të minojë objektivin e përbashkët të opozitës për t’i dhënë vendit një të ardhme evropiane”. Deri tani Demokracia Sociale është e vetmja forcë politike e opozitës që nuk ka vendosur të paktën zyrtarisht pozicionin që do të ketë në zgjedhjet e ardhshme. Ai ka marrë oferta nga dy koalicione që drejtohen përkatësisht nga Rama dhe Meta, por ka preferuar të qëndrojë pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim në Parlament, duke bërë pjesë në grupin e saj parlamentar dhe të jetë luajale me Partinë Socialiste duke marrë në konsideratë kërkesat e saj për bashkëpunim. Megjithëse me një parti të vogël, Paskal Milo duket se po tenton që të hyjë në historinë e këtij debati si negociatori i pajtimit. Por megjithëse thirrjet e tij janë për bashkim, Milo nuk ka sqaruar nëse do të ndërmarrë negociata konkrete për të bashkuar opozitën. Në njërin krah, socialistët janë me aleatin më të ngushtë, socialdemokratin Skënder Gjinushi, kurse Lëvizja Socialiste për Integrim ka sjellë pranë vetes partinë më të re të krijuar, PS 91 të Petro Koçit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›