E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do i marr tokën te “Tajvani” aleancës punisto-mafiozeNga Tema, TCHKryeministri, Sali Berisha, tha dje se do të anulojë vendimin e shitjes së një hapësire në qendër të Tiranës. Ai tha se, hapësira prej 1 mijë metrash katrorë te “Tajvani” ësht

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha: Do i marr tokën te “Tajvani” aleancës punisto-mafiozeNga Tema, TCH

Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se do të anulojë vendimin e shitjes së një hapësire në qendër të Tiranës. Ai tha se, hapësira prej 1 mijë metrash katrorë te “Tajvani” është shitur në kundërshtim me ligjin. Berisha tha se ky është një hap në betejën kundër aleancës punisto-mafioze.

“Në hyrje të kësaj mbledhjeje të Këshillit të Ministrave dua t’i kërkoj ministrit të Punëve Publike dhe Transportit të sjellë me urgjencë në qeveri vendimin për të anuluar dhunimin flagrant dhe mafioz të ligjit mbi shitblerjen e trojeve në Republikën e Shqipërisë, dhunim, i cili konsiston në përvetësimin në kundërshtim me ligjin e vendit të 1350 metrave tokë publike nga kryebashkiaku i Tiranës dhe Besniku i tij, në zemër të qytetit”, - tha Berisha.

“Së dyti, po kaq e shëmtuar është shitja e tij, pasi nuk kanë ngurruar për ta përvetësuar atë me çmimet më qesharake. Një truall, që në vendin ku ndodhet, e ka çmimin mbi 2 mijë euro metri katror, është blerë për 95 euro. Dosja do t’i dërgohet me urgjencë prokurorisë. Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës”, - vijoi më tej kryeministri.

Berisha tha se Rama nuk do që shqiptarët të qeverisen me të huajt.

“Kjo është një dëshmi e vogël, por tepër domethënëse se, përse aleanca punisto-mafioze nuk do të respektohen dhe të njihen vendimet e gjykatave dhe na kërkon të shkelmojmë mbi to, madje na kërcënon. Por ne do të mbetemi njerëz të ligjit, të përkushtuar për ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Kjo dëshmon qartë, përse kjo aleancë deklaron se do të qeverisim pa të huajt, se nuk na duhen ata, me gojën e kreut të saj, Edi Rama. Ne sapo përfunduam një mbledhje me një prani të shquar të huajsh, të Komisionit Evropian, por mafia nuk ka asnjë lloj interesi tjetër, përveç pasurimit të saj, pa njohur asnjë ligj dhe asnjë parim. Të thërrasësh sot, se nuk na duhen të huajt, do të thotë se nuk na duhen vizat, nuk na duhet integrimi, duhet që të vjedhim e përvetësojmë pasuritë e këtij vendi dhe t’i shndërrojmë në pasuri personale”, - tha Berisha.

“Më duhet të them se shumë shpejt do t’u faktoj shqiptarëve, njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit që të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milionë euro, se po bëhen llogaritjet, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e bregut, nga Velipoja në Ksamil. Të gjitha pa përjashtim do të kenë fatin e kësaj.

Publikut do t’i bëhet transparencë e plotë, në mënyrë që edhe shqiptari i fundit të kuptojë se, përse kjo aleancë nuk kërkon gjë tjetër veçse shkelmimin e vendimit gjyqësor, që për zgjedhjet, për pronat, për krimin, për votën, për mosmarrëveshjet të mos vendoset më në gjykata, por të vendoset në shpella, në bodrume. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë.”

Bashkia: Toka u shit për efekt legalizimi, vendimi u miratua me 71% të votave të Këshillit Bashkiak

Ndërtesa te parku “Rinia”, pronë e shoqërisë “Tajvan SHPK” është kthyer në një tjetër objekt konflikti mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.

Pas akuzave të përfaqësuesit të qeverisë për dhënien e kësaj lejeje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës në një tokë shtetërore, ka reaguar administratori i përgjithshëm në bashki, Dritan Agolli, i cili përmes dokumenteve ka treguar se vendimi për legalizimin e kësaj ndërtese është marrë nga Këshilli Bashkiak me 71% të votave.

“Shoqërisë “Tajvani SHPK” i është shitur një sipërfaqe toke për efekt legalizimi nga ana Këshillit Bashkiak. Gënjejnë, kur thonë se ligji nuk lejonte shitjen e tokës dhe bashkia e ka bërë atë në shkelje ligji. Në rastet e trojeve publike, për efekt legalizimi toka shitet nga Këshilli i bashkisë apo komunës”, - u shpreh Agolli.

Administratori i bashkisë ka treguar se për legalizimin e kësaj prone, bashkia ka ndjekur të gjitha hapat ligjore.

“Me insistimin dhe të anëtarëve demokratë vendosi sipas përcaktimit të ligjit. Vlera e paguar me legalizimin, sikur të ishte bërë me ligjin që zbaton sot qeveria, do të bënte që subjekti të paguante 5 herë më pak se çka paguar më parë në arkën e bashkisë”, - u shpreh Agolli.

Beteja politike mes mazhorancës dhe opozitës duket se po shtrihet në një tjetër rrafsh, atë ekonomik, ku të majtët akuzojnë kryeministrin se po godet bizneset që kanë mbështetur opozitën, në një kohë që përdor një tjetër metër për bizneset pranë kryeministrit.

Mesila Doda: Mafiozët e kuq nuk do prishin festën tonë

Mesila Doda, ish-zyrtare në kohën e qeverisjes socialiste dhe drejtuese e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve gjatë periudhës kur ky institucion mori kritikat më të forta nga ndërkombëtarët, e quajti dje opozitën mafie të kuqe.

Ajo foli për mitingun që kanë paralajmëruar demokratët për datën 8 dhjetor.

“Si ish-studente e Dhjetorit dhe si çdo shqiptar pres me padurim afrimin e festës së madhe të datës 8 dhjetor. Ne jemi 8 Dhjetori, ne jemi ata që rrëzuan Murin e Berlinit. Këtë 8 dhjetor do festojmë si asnjëherë më parë ditën kur takuam lirinë, kur vendosëm të mos pyesim e të mos frigohemi më nga pashallarët e kuq, nga don-Gramozi, nga shoku Kristaq, nga Gjinushi, Xhelili, Bushati, Peza etj.

I shpërfytyruar, humbësi i 28 qershorit, po tregon se ka tmerr dhe frikë nga festa që po afron, por tashmë pas 20 vitesh, tingëllon donkishotesk kërcënimi dhe ultimatumi që ai i bën sistemit të demokracisë. Në mënyrë komike, ashtu si ati i tij shpirtëror politik e biologjik, ai kërkon të mbajë lart frymën revolucionare. Si ish-studente e dhjetorit, si

deputete e Partisë Demokratike, që rrëzoi familjen politike të Edvinit, dua t’i them sot aleancës puniste-mafioze të Edvinit, Gramozit, Yllit, Fidelit, Koços, Besos, Delijorgjëve, Shkrelëve e kompani, se sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, se 16 nëntori ishte përgjigjja më e bukur e ëndrrës sonë për të pasur një Shqipëri si gjithë Evropa, tamam tani që po afron 8 dhjetori.

Dua t’i them mafiozëve të kuq të rinj e të vjetër që të mos guxojnë të prekin a të kërcënojnë ëndrrën tonë evropiane, ëndrrën e shqiptarëve, për të cilën

punuam”, - tha Doda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›