Berisha: Do jetë mandati i ndryshimeve të mëdha
Për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër, Kryeministri Sali Berisha viziton qytetin e Durrësit, pjesë e turit të falënderimeve për mandatin e dytë qeverisës, të marrë më 28 qershor. Kreu i qeverisë inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e unazës së re të qytetit, investim me vlerë 120 milionë lekë. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projekt si një nga veprat më të rëndësishme të transportit të këtij qyteti, duke theksuar se në Durrës janë edhe një seri projektesh të mëdha, si nyja moderne e Shkozetit, që është në ndërtim e sipër, unaza, parku energjetik, parku industrial, etj. “Ky mandat është mandati i ndryshimeve më të mëdha të Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë. Ju dhe mbarë shqiptarëve që votuat ndryshimin, ju garantoj se ndryshimi do të ketë shpejtësinë më të madhe në historinë e këtij vendi. Në Durrës janë një seri projektesh të mëdha. Është në ndërtim e sipër nyja moderne e Shkozetit, unaza, parku energjetik, parku industrial. Në këtë katër vjeçar, Durrësi do të njohë një fuqi që nuk e ka pasur kurrë më parë në rrafshin industrial, në rrafshin turistik, në rrafshin energjetik dhe në të gjitha aspektet”, u shpreh Berisha. Sipas tij, në zgjedhjet e 28 qershorit shqiptarët votuan për lëvizjen e lirë, punësimin dhe kujdesin shëndetësor. “Shqiptarët më 28 qershor firmosën projektin e Durrësit evropian, Shqipërisë evropiane. Nga ky projekt nuk ka të humbur. Nga ky projekt ka vetëm të fituar. Në këtë projekt, të gjithë ata, që kanë si ëndrrën më të mirë të jetës së tyre Shqipërinë e integruar në Bashkimin Evropian, lëvizjen e lirë, punësimin, shkollimin dhe kujdesin shëndetësor të standardeve evropiane, do ta gjejnë të realizuar”, theksoi më tej Berisha.