E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha e Ramskarenjve!

AGIM XHAFKA 

Thuajse çdo ditë, pas humbjes së zgjedhjeve nga PS, dëgjohet togfjalëshi: Është koha e maskarenjve! Për shumë kënd kjo s‘ka kuptim, por për më të vëmendshmit ka të bëjë me shpjegimin se do të dilte tjetër rezultat, nëse LSI nuk do të kishte pranuar ftesën e Berishës për qeverisje. Pra hidhet ideja se PS është e fituara dhe ca maskarenj na paskan bërë çudinë që rezultati rrëshqiti djathtas!!!
Në fakt koha e maskarenjve do rregulluar, duke u ndërtuar si togfjalësh më i plotë: “Koha e Ramskarenjve!” Dhe pse duhet ndërruar kështu, sjellim shpejt faktet e mëposhtme. Fushata e PS u ndërtua pa u mbështetur nga asnjë program i shkruar. Rama brodhi fshat më fshat e qytezë më qytezë, duke u dhënë dorën ca njerëzve, fytyrën e tij ca kamerave, tekstin mbi kronika si të donte e ec tutje. Pa bërë asnjë shtjellim të qeverisjes së nesërme, pa dhënë prioritete, pa shtruar rrugë zgjidhje, pa bërë faturë shpenzimesh e të ardhurash. Shkurt bëri një xhiro nëpër atdhe me slloganin “O popull, lum ti që na ke ne!”
Por të kërkosh pushtet pa program është më e pakta si të drejtosh një makinë pa patentë. Ky ishte defekti më i madh që mund ta prodhojë “Koha e Ramskarenjve!
Në fushatë zgjedhore pas programit kanë rëndësi kandidatët. Ata që do të ulen në Parlament për të hartuar ligjet. Në to u futën ata që kishte shokë e miq Edi, që nuk kishin pasur lidhje me PS pjesa më e madhe dhe, për çudi, që shumë prej tyre ishin bij të baballarëve që ideuan ndërtimin e socializmit me forcat tona. U renditën sipas dëshirës së kryetarit dhe në fund populli u dha aq vota sa të mbeten humbës e të thuhet pa frikë se kjo listë pasqyron në thelb: “Kohën e Ramskarenjve!
Pa vazhduar me kryesimin në rajone të ca rrëngallave politike që u paraqitën politikë e re, kur ndërkohë ishin nëpër arkiva më të vjetrit e të vjetëruarve. Mjafton sa për shembull, Gramoz Ruçi dhe kushdo mund të thotë me bindje se koha e këtyre njerëzve është tamam e Ramskarenjve!
Tani kjo kohë po prodhon çudira. Vazhdohet përditë me Ramskallëqe të shumta. Do njohim zgjedhjet po dolëm barazim, do vijmë në Parlament po të na jepet një deputet shtesë, do hetojmë nëpër vite votat e vjedhura e kështu nga dega në degë.
E harrojnë që Edin sikur e ka zënë gripi i derrave. I largohen të gjithë me ngut. Aleatët me bindje thonë që u vodhi, Solis e akuzon për incest zgjedhor, të tjerët për zhdukje kutish e kështu  lideri i PS katandisi keq e më keq.
S‘ka hetim e kuti që e shpëton. Që me humbjen e ditëve të para kjo parti është pa kryetar. Atij i është ndërprerë mandati dhe bërtet e ulëret se nuk mund ta pranojë këtë mandatë. Por ja që e vërteta kështu është. Nuk kishte si të ishte ndryshe. Një lider pa program do të thyente qafën patjetër. Fjalimet e tij reale përmblidhen në dialogun e ca të rinjve në Fier, pas mitingut me Ramën.
-Sa i gjatë që ishte, mor burrë!
-Po çarë tha se nuk dëgjova gjë?
-Për zotin ishte shumë i gjatë, sa i gjatë!
Kështu do mbahet mend Edi Rama në këtë fushatë. I humbi të gjitha e ruajti të paprekur gjatësinë e tij, te vetmen gjë me vlerë që ka.
Koha e Ramskarenjve është vërtet e vështirë. Që tani po duket sa do stresohen Blushi e Malaj. Se që të largosh Ramën nuk duhet vetëm statuti. Duhen shumë para. Se Edvinit mund t‘i rrëzosh projektin, por në votim, nëse ai rikandidon, duhet ta përgjojnë natën se atë e ka aleat dhe mund të blejë krejt Asamblenë e PS, siç e bëri para 4 vjetësh.
Koha e Ramskarenjve bëri tentativë për të ardhur, për të hipur në pushtet, por votuesit e mbajtën larg nga qeverisja. Do zoti e mbajnë larg dhe nga PS se nga Ramskarenjtë priten vetëm maskarllëqe. Le të lutemi që t‘i rrinë sa më larg vendit tonë të dashur. Amen!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›