Gripi i derrit, sot përgjigjet për 8 personat e dyshuar
zirina llambro
Përgjigjet e analizave për 8 persona që dyshohen të jenë prekur nga gripi i derrave do të mbërrijnë sot. Instituti i Shëndetit Publik ka çuar për konfirmim kampionët e gjakut në laboratorët e Rumanisë dhe Londrës. Gjasat që vendi ynë të konfirmojë zyrtarisht praninë e virusit A-H1N1 janë të shumta. Ndër pacientët e dyshuar, janë dy foshnja të vogla nga Vlora të sapombërritura nga Greqia, dhe një i ri maqedonas. Por megjithëse përgjigjet për ta nuk kanë ardhur ende, mjekët vlonjatë kanë vendosur t’i nxjerrin nga spitali. Sipas bluzave të bardha, shëndeti i fëmijëve u normalizua dhe në këto kushte u dhanë mjekim në vazhdim. Dyshimet u ngritën pasi të tre personat kishin ardhur në Shqipëri nga shtete të tjera. Ata u paraqitën në spital me diarre, temperaturë dhe shqetësime të tjera të përgjithshme. “Nëse do të ishin të prekur nga virusi, fëmijët nuk do të ishin përmirësuar. Gjithsesi, fëmijët sapo u paraqitën dhe sapo u krijua dyshimi u mbajtën në një dhomë të izoluar, sipas masave që janë marrë për raste të tilla nga Drejtoria e spitalit”, pohuan burime të spitalit të Vlorës. Veç tyre, sot pritet të merret përgjigja decizive edhe për një 27-vjeçar nga Shkodra, i cili sapo është kthyer nga Anglia. Pranë ISHP-së janë depozituar edhe katër mostra të tjera, që priten të analizohen por me simptoma me të lehta. Autoritetet shëndetësore japin alarmin se po rritet rreziku i prekjes nga virusi i gripit të derrit, për shkak të lëvizjeve të emigrantëve nga vende të ndryshme. Deri tani ISHP ka analizuar mbi 90 raste me simptoma të gripit. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me virus AH1N1. Sipas direktivave të Organizatës Botërore të shëndetësisë, çdo javë duhet të ekzaminohen imtësisht dhjetë kampionë pacientësh, të cilët mendohet se mund të kenë më shumë komplikacione se rastet e tjera. Ndërkohë që pas filtrimit të informacionit, Instituti i Shëndetit Publik bën përzgjedhjen se cilat prej kampionëve kanë nevojë për një rikonfirmim specifik nga laboratorët e huaj. Çdo rast me probleme të frymëmarrjes, me temperaturë të lartë, dhembje të forta trupi, diarre, duhet të raportohet nga mjekët e familjes në rrethe. “Duhet të jemi të përgatitur. Nuk ka vend për panik, as për alarm. Njësoj si vendet e tjera që tashmë kanë konfirmuar praninë e virusit, do të përballojmë edhe ne situatën”, kanë deklaruar drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë.
Gripi i derrave
Simptomat
Temperatura:
Kalon të 38 gradët
Frymëmarrja:
Të kollitur,
teshtima,
ftohje
vështirësi në frymëmarrje
Sytë:
Skuqje e syve
Kockat dhe muskujt:
Dhimbje kockash,
muskujsh
ndjesi dobësie
Barku:
Mungesë oreksi,
të vjella
dhe diarre