E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiroka: Rama ka humbur, të largohet

 

Shkodër / Ritvan Dibra

Kërkesa për largimin e kryetarit socialist nga drejtimi i PS-së vijnë dhe nga baza socialiste. Kryetari i PS-së për Bashkinë e Shkodrës, Edip Shiroka, kërkoi dje zbatimin e statutit nga ana e kryetarit socialist, si një detyrim për çdo socialist. “E rëndësishme është bërja e analizave, sepse nuk ka dorëheqje pa bërë analiza, sepse përmes tyre dalin përgjegjësitë, njerëzit vihen në pozita pune dhe dalin dobësitë ku ka çaluar procesi dhe për të mos pasur përsëritje në zgjedhjet e ardhshme. Dorëheqja është një proces formal që kërkon vetëm zbatimin e statutit të PS-së. Në statut thuhet në mënyrë laksative: Humbësi largohet! Respektimi i statutit është detyrim për t’u zbatuar nga çdo anëtar partie socialiste, duke filluar nga baza deri te kryetari i saj”, u shpreh kreu i PS-së së Shkodrës. Shiroka shprehet se ndërrimi i kryetarit socialist është i domosdoshëm për t’i dhënë një impuls partisë për fitoren e zgjedhjeve lokale në 2011. Sipas tij, me largimin e Ramës nuk ndodh ndonjë tragjedi në PS, pasi kjo parti ka shumë figura të reja por dhe me reputacion që mund të realizojnë këtë aspiratë. “Nëse Rama do largohet normalisht që asgjë nuk ndodh, figura shumë të mira të PS, ndoshta me një mënyrë tjetër drejtimi, mund ta çojnë PS në fitoren e zgjedhjeve vendore të 2001. Ne kemi figura shumë dhe shumë të mira, brenda kryesisë së PS, por dhe jashtë saj, të cilët mund të jenë nesër pretendentë për ta drejtuar atë, pasi PS është vërtet një pasuri kombëtare e këtij vendi. Me një proces në kohë dhe demokratik, çdo gjë mendoj se do të shkojë në rrugën e duhur”. Reagimi nga kryetari i degës socialiste të Shkodrës vjen pas zërave kritikë të dy anëtarëve të kryesisë, Arben Malaj dhe Ben Blushi, të cilët kanë kërkuar nga kryetari Rama pranimin e humbjes në këto zgjedhje dhe zbatimin e nenit statutor, për largimin nga drejtimi i partisë. Por këtyre zërave i është përgjigjur dy ditë më parë vetë Edi Rama, i cili u shpreh se njerëzit që janë ngritur për largimin e tij janë nxituar. Në përgjigje të kërkesës së dy eksponentëve socialistë, Ben Blushi dhe Arben Malaj, që kreu socialist të pranojë humbjen dhe t’i hapë rrugën një gare për kryetar partie, Rama thekson faktin se më 28 qershor, partia që ai drejton mori numrin më të madh të votave se çdo parti tjetër në zgjedhje. “Unë jam kryetar i PS, forca që në zgjedhjet e 28 qershorit doli forca më e madhe në vend dhe unë i kam të qarta detyrimet dhe radhët e punës sime, për të mos lejuar që ajo që ndodhi më 28 qershor të mos përfundojë me grabitjen e mandateve tona dhe me asgjësimin e një të drejte, që ne na e jep ligji zgjedhor. Të tjerët mund të nguten, por mua kjo nuk më lejohet”, u shpreh Rama. Pritet që pas përfundimit të procesit të ankimimeve dhe në Kolegjin Zgjedhor, të kërkohet nisja e analizave në të gjitha degët socialiste, për të nxjerrë shkaqet e vërteta të humbjes së koalicionit të drejtuar nga PS-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›